Ekip
10 Mars 2020•Përditësim: 11 Mars 2020
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, duke folur për refugjatët që vijnë nga Idlibi, tha se nga Evropa nuk japin asnjë mbështetje, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu mori pjesë në panelin editorial të AA-së ku lidhur me temat aktuale tha: "Thoni që të mos vijë migrimi nga Idlibi dhe nuk jepni asnjë mbështetje nga Evropa që këta njerëz të jetojnë këtu".
Duke folur për nevojat e migrantëve, ministri Çavuşoğlu tha: "Kushtet e sotme në krahasim me nevojat e migrantëve në vitin 2016 janë ndryshe. Në kuadër të kushteve të reja do të bisedojmë se çfarë mund të bëjmë me BE-në".
Ai rikujtoi vizitën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në Bruksel ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Çavuşoğlu tha se pas operacionit të Turqisë në rajonin e Idlibit, NATO ka zhvilluar një takim në kuadër të nenit të 4-t, ku është trajtuar se si munden t'i ndihmojnë Turqinë, në cilat aspekte mund të japin mbështetje.
Kryediplomati turk gjithashtu komentoi marrëdhëniet e vendit të tij me BE-në. "Në aspektin e dialogut me BE-në kemi kaluar në një fazë të re, por duhet të hidhen hapa që të realizohen këto marrëdhënie në mënyrë realiste", theksoi Çavuşoğlu.
"Fillimisht BE-ja duhet të jetë e sinqertë me Turqinë. Po, Turqia ka nevojë për BE-në, por BE-ja ka më shumë nevojë për Turqinë. Veçanërisht nëse dëshiron të jetë aktor global", tha Çavuşoğlu duke theksuar se të dyja palët kanë detyrimet e tyre ndaj njëra-tjetrës.