Servet Günerigök
07 Shkurt 2019•Përditësim: 07 Shkurt 2019
WASHINGTON (AA) – Punët mbi udhërrëfyesin për dëbimin e terroristëve të PKK/YPG-së nga Munbixhi i Sirisë, kanë marrë një tempo të përshpejtuar, deklaroi ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një adresim të tij për gazetërët turq në Washington, Çavuşoğlu tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë fajtorë për ngadalësimin e këtij udhërrëfyesi.
"Ka një përshpejtim, në veçanti administrata e SHBA-ve dhe sekretari i Shtetit, Pompeo, po kërkojnë zbatim të menjëhershëm të këtij udhërrëfyesi”, tha Çavuşoğlu.
Sipas tij, Ankaraja dhe Washingtoni nuk do të përballëshin me tensione, nëse marrëveshja për Munbixhin do të zbatohej më parë.
Pavarësisht përparimit, Çavuşoğlu thotë se udhërrëfyesi "doemos të zbatohet i tëri dhe menjëherë”.
Turqia është zotuar për një operacion anti-terrorist në Siri në lindje të lumit Eufrat, pasi paraprakisht kreu me sukses dy të tjera në periudhën pas vitit 2016.
Marrëveshja e Munbixhit mes Turqisë dhe SHBA-ve përqendrohet tek tërheqja e terroristëve të YPG/PKK-së nga qyteti në mënyrë që të stabilizohet rajoni, i cili ndodhet në pjesën veriore të Sirisë, në provincën e Halepit.