Fatih Hafız Mehmet
02 Shtator 2019•Përditësim: 03 Shtator 2019
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se në mënyrë që të mënjanohen shkaqet thelbësore të migrimit të parregullt, vendet burimore të këtij fenomeni duhet të ndihmohen, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një panel mbi multikulturalizmin në Forumin e 14-të Strategjik në Bled të Sllovenisë, Çavuşoğlu tha se bota nuk ka arritur ta trajtojë problemin e migrimit të parregullt.
Kryediplomati turk deklaroi se vendet burimore të migrimit nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme nga vendet e tjera.
"Ka rreth 70 milionë persona të zhvendosur në botë. Ky numër është më shumë se personat e zhvendosur gjatë Luftës së Dytë Botërore", tha Çavuşoğlu.
Ai tha se Turqia është një vend tranzit për migrimin e parregullt.
"Ne kemi shpenzuar 37 miliardë dollarë nga buxheti i shtetit dhe ajo që kemi marrë nga bashkësia ndërkombëtare është më pak se një miliard dollarë, krahas asaj që morëm nga Bashkimi Evropian", theksoi shefi i diplomacisë turke.
Ndryshe, Turqia strehon rreth 3,6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.