PRISHTINË (AA) – Në organizim të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe institutit me renome botërore “Aspen Institut” nga Gjermania, sot në Prishtinë ka filluar punimet konferenca ndërkombëtare “Gërmia Hill”, në fokus të së cilës është çështja e sigurisë dhe mbanë titullin “Arkitektura e sigurisë së Evropës Juglindore në ditën e sfidave globale 2016”, raporton Anadolu Agency (AA).
Konferenca e cila ka filluar sot dhe do të vazhdoj edhe nesër, është vlerësuar si më madhja e organizuar viteve të fundit në Ballkan pasi që në të po marrin pjesë mbi 200 mysafirë nga 40 shtete të ndryshme të botës.
Në mesin e pjesëmarrësve janë shumë ministra të politikës së jashtme botërore, ministra të punëve të brendshme, shumë përfaqësues politik dhe ekspertë të sigurisë, si dhe shumë redaktorë dhe gazetarë të medieve prestigjioze botërore, nga “New York Times”, “The Economist ”, “The Times”, “Frankfuerter Allgemeine Zeitung” e tjerë, që merren me aspektin e sigurisë.
Konferencën e hapi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili duke u ndërlidhur me faktin se sivjet më shumë se kurrë, fokusi i opinionit ndërkombëtar kanë qenë çështjet e sigurisë, Kosova është një vend stabil, vend i paqes, komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes komuniteteve tona, por edhe fqinjëve të saj, me çka është bërë një faktor i zhvillimit, stabilitetit, dialogut me fqinjët, si dhe kontribuues i sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Mustafa në mënyrë specifike theksoi tri fusha që janë mbuluar edhe në këtë konferencë: çështjen e migrimit, luftimi i terrorizmit dhe radikalizmit, dhe konfliktet në Ukrainë dhe në Siri, si dhe implikimet që ka Rusia në zhvillimet në këto zona.
Duke fol për migrimin, temë kjo e cila prek në rrënjë debatin politik dhe medial evropian, kryeministri i Kosovës theksoi se ka mirëkuptim për mundësinë që ky migrim të godet drejtpërsëdrejti vlerat tradicionale evropiane dhe të rrezikoj politikat tradicionale mikpritëse evropiane, por i hodhi poshtë keqkuptimet dhe paragjykimet që Kosova të identifikohet me numrin e madh të emigrantëve nga Siria, Iraku e Afganistani.
Ai theksoi se Kosova ka punuar shumë që numri i azilkërkuesve kosovar të bie dramatikisht dhe nga 13 mijë azilkërkues nga Kosova, sa kanë kërkuar azil përmes Hungarisë në shkurt 2015, në dhjetor të vitit 2016 numri i tyre ishte 5 persona. Për këtë, tha Mustafa, Bashkimi Evropian ka vlerësuar lartë punën e Qeverisë së Kosovës e cila vitin e kaluar ka riatdhesuar rreth 20 mijë kosovarë dhe së bashku me shtetet anëtare të BE-së po e vazhdon punën në këtë drejtim.
Por, ajo që e brengos qeverinë kosovare është se, përkundër punës së madhe të bërë, qytetarët e Kosovës janë të vetmit nga Ballkani Perëndimor që aktualisht janë të izoluar dhe nuk kanë mundësi të qarkullimit të lirë në vendet e Bashkimit Evropian për shkak të regjimit të vizave.
Ajo që e veçoi kryeministri i Kosovës, në fjalimin e tij hyrës ishte angazhimi i madh i Republikës së Kosovës në luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit, për çka edhe ka marr mirënjohje.
“Sekretari i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, theksoi se ne jemi liderë në rajon në ndërmarrjen e shumë masave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit...Kosova është një front evropian, i cili zhvillohet këtu në Prishtinë, dhe nuk mbron vetëm Prishtinën. Nga këtu mbrohet edhe Parisi, edhe Londra edhe Berlini, sepse ne përjetojmë, ndjejmë, kultivojmë dhe mbrojmë vlerat euroatlantike” deklaroi Mustafa.
Ai shtoi se, sipas statistikave të shërbimeve shtetërore të Kosovës, numri i kosovarëve të përfshirë në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënë dukshëm, nga rreth 300 kanë qarkulluar gjatë viteve të fundit, në më pak se 70 persona, sa mund të gjenden aktualisht atje.
Kjo, sipas të parit të qeverisë kosovare është bërë fal arrestimeve të propaganduesve të ISIS-it, thyerjes së rrjeteve të rekrutimit, mbylljes së OJQ-ve që e kanë keqpërdorur Kosovën për objektiva radikale, si dhe ndërmarrjes së masave ligjore kundër fondeve që dyshohet se janë përdorur për këto aktivitete.
Kryeministri Mustafa potencoi se, qytetarët e Kosovës për asnjë moment nuk e harrojnë përkrahjen dhe solidarizimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendeve demokratike dhe paqedashëse në botë, në kohën kur shqiptarët e Kosovës ishin objekt të dhunës, krimit, terrorit dhe spastrimit etnik. Shih për këtë, ai theksoi se kosovarët kanë përqafuar vlerat evropiane dhe euroatlantike, se Kosova është shtet sekular dhe nuk ka ndërmend të lëshoj pe në luftën e përditshme ndaj atyre që nuk respektojnë vlerat fondamentale njerëzore.
Në fund, Mustafa theksoi pritjet që, Kosova sivjet të bëjë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, dhe me këtë të hapen mundësitë që edhe kosovarët të jenë pjesëmarrës në misionet humanitare dhe paqeruajtëse, për çka kryeministri kishte ftuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, që Kosova dhe NATO të ndërtojnë modalitete edhe më të afërta të bashkëpunimit.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, në ekspozeun e tij tha se Kosova do të vazhdoj me rolin e saj të bashkëpunimit rajonal , që është një fakto i rëndësishëm për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe vendeve të regjionit.
“Dëshiroj të potencoj se edhe kauzat e zgjedhura gabimisht prej refuzuesve të fqinjësisë së mirë, apo marrëveshjeve me vendet fqinje, e kemi të tillë edhe në Kosovë, janë kuaza të gabuara sepse rruga e vetme është dialogu, bashkëpunimi dhe ndërtimi i fqinjësis së mirë” tha Thaçi.
Ai shtoi se vazhdimi i dialogut që Kosova po e bënë me Serbinë në Bruksel, do të jetë porosi që të punohet më tepër në bashkëpunimin e vendeve të rajonit dhe ardhmërinë euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë aspekt, shefi i diplomacisë kosovare shprehu besimin e tij se shumë shpejtë do të fillojë realizimi i projekteve infrastrukturore regjionale, ndër to edhe ndërtimi i autostradës Prishtinë – Nish.
Megjithatë, Thaçi porositi se Brukseli nuk duhet të vonohet me proceset integruese, përkundër krizës aktuale në Ukrainë, sepse kjo është e vetmja rrugë e normalizimit të situatës në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Sa më tepër që po vonohet Bashkimi Evropian me Kosovën dhe rajonin, e them me përgjegjësi të plotë, krijohen disa hapësira krejt të panevojshme për një ndikim në Kosovë, pothuajse minimal edhe të Rusisë, por edhe të Lindjes së Mesme. Ne jemi dëshmitar të këtyre zhvillimeve” ka vlerësuar Thaçi.
Ministri i jashtëm i Kosovës gjithashtu potencoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçantë në luftimin e radikalizmit, sferë kjo në të cilën Kosova luan rol shumë aktivë.
Nga ky aspekt, Thaçi u shpreh se duhet të krijohen kushtet që Kosova të bëhet anëtare e Interpolit, Europolit dhe mekanizmave tjera ndërkombëtare të sigurisë.
Diskutimet e mëtejme në konferencë vazhduan duke trajtuar çështjen e konfliktit të armatosur në Ukrainë, luftës së përshkallëzuar në Siri, si dhe temat e imigrimit dhe rritjes së ekstremizmit fetar dhe politik, sfida të shumta këto me të cilat Evropa Juglindore vazhdon të përballet, veçanërisht për sa i përket implikimeve komplekse gjeopolitike dhe në kontekst të integrimit euroatlantik.
“Gërmia Hill” është duke u organizuar për herë të tretë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe ofron një kornizë për të trajtuar dhe shtjelluar një peizazh të ndërlikuar gjeopolitik nga këndvështrimi i Evropës Juglindore, ku NATO mbetet aspiratë e vetme për siguri kolektive të shumicës së shteteve të rajonit.
news_share_descriptionsubscription_contact
