Hassan İsilow
30 Prill 2019•Përditësim: 30 Prill 2019
Të paktën 38 njerëz kanë vdekur si pasojë e ciklonit Kenneth i cili kaploi Mozambikun, raporton Anadolu Agency (AA).
Cikloni, i shoqëruar nga era e forta që arrin një shpejësi prej 220 kilometra në orë, goditi Mozambikun të enjten e kaluar.
Agjencia për menaxhimin e situatave emergjente bën të ditur se deri më tani është konfirmuar vdekja e 38 personave, ndërsa 39 të tjerë janë lënduar.
Në kumtesën e Agjencisë thuhet se 23.000 njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë, pasi erërat dhe përmbytjet shkatërruan ose dëmtuan mbi 35.000 objekte banimi.
Kenneth është ciklon i dytë që goditi Mozambikun në gjashtë javët e fundit, pasi paraprakisht cikloni Idai i cili kaploi vendin si dhe vendet fqinje Zimbabven dhe Malawi, la të vdekur mbi një mijë njerëz.
Ndërkohë, organizatat humanitare bëjnë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të dërgojë ndihma në Mozambik, i cili sipas tyre ende po vuan pasojat nga cikloni i mëparshëm, dëmet e të cilit nuk janë riparuar.
Kombet e Bashkuara thanë se kanë ndarë 13 milionë dollarë për ndihma urgjente humanitare për Mozambikun dhe ishujt Komore.