Ekip
29 Prill 2019•Përditësim: 30 Prill 2019
Të paktën 1.2 milionë irakianë janë zhvendosur në qytete dhe kampe në pjesët veriore dhe perëndimore të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri irakian i Migracionit dhe Zhvendosjes, Jassem al-Attiya, për AA tha se rreth 500 mijë persona janë të zhvendosur në kampe në të gjithë vendin, ndërsa rreth 700 mijë të tjerë janë të zhvendosur në qytete.
Al-Attiya theksoi se agjencia e tij, në koordinim me Kombet e Bashkuara (OKB), ka nisur “një plan për kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre brenda një afati prej një viti”.
Sipas tij, plani synon të gjejë zgjidhje për problemet që pengojnë të zhvendosurit të kthehen në shtëpitë e tyre.
Mbi 5 milionë irakianë u detyruan të lëshojnë shtëpitë e tyre nga krahinat Nineveh, Kirkuk, Saladin, Anbar, Diyala, si dhe nga pjesët e rrethinave të Bagdadit, pasi terroristët e DEASH-it pushtuan pjesën më të madhe të Irakut verior dhe perëndimor në vitin 2014.
Pasi zyrtarët e Bagdadit në dhjetor të vitit 2017 deklaruan se prania ushtarake e grupit terrorist në Irak ishte çrrënjosur pas operacioneve të mbështetura nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të, shumë prej tyre u kthyen në shtëpi, por disa ende nuk janë në gjendje të kthehen në lagjet e tyre për shkak të shkatërrimit të shtëpive të tyre gjatë luftës kundër DEASH-it, mungesës së infrastrukturës dhe shërbimeve bazë, si dhe paqëndrueshmërisë së situatës së sigurisë.