Ahmet Gençtürk
13 Mars 2022•Përditësim: 14 Mars 2022
Ndërsa përleshjet me forcat ruse vazhdojnë në gjithë Ukrainën, po punohet për evakuimin e civilëve në kryeqytetin relativisht më të sigurt Kiev nga zonat afër.
Nga civilët e evakuuar nga zonat si Bucha dhe Irpin, ata që nuk kanë familje apo miq në kryeqytet, ose kërkojnë strehim në shkolla ose udhëtojnë në pjesën perëndimore të vendit, e cila është më e sigurt.
Shumë nga të moshuarit janë vendosur në shkolla në Kiev, ku vullnetarët ofrojnë ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme.
Një prej tyre është shkolla Nr.115, një kopsht fëmijësh në pjesën lindore të kryeqytetit që strehon civilë të evakuuar.
Pesëdhjetë civilë, shumica prej tyre të moshuar, po qëndrojnë këtu pasi u desh të largoheshin nga shtëpitë e tyre me vetëm disa çanta.
Olya Marchenko, një grua 73-vjeçare e evakuuar nga Pushcha-Vodytsya pranë Kievit, tha se zona e saj është granatuar rëndë.
“Si rezultat, unë, djali im dhe nipi im nuk patëm zgjidhje tjetër veçse të iknim dhe të kërkojmë strehim në Kiev”, tha ajo.
Me sy të përlotur, ajo tha se qyteti i saj ishte në shënjestër kur filloi lufta dhe se ata duhej të qëndronin në strehimore primitive në fillim.
“Granatimet shkatërruan gjysmën e shtëpive në fshatin tim. Nuk kishte energji elektrike dhe gaz natyror”, deklaroi ajo.
Duke u përpjekur për të rrëfyer vështirësitë që pësoi, Marchenko tha për Anadolu Agency (AA) se nuk kishte njeri në Kiev dhe nuk kishte ku të qëndronte.
“Më duhej të largohesha nga shtëpia ku kalova jetën për vetëm dy minuta”, shtoi ajo.
Marchenko, së bashku me miliona ukrainas të tjerë që u detyruan të linin shtëpitë e tyre, u ndanë nga vendlindjet e tyre si rezultat i luftës me Rusinë që shpërtheu më 24 shkurt.
Afro 2,7 milionë ukrainas janë larguar deri më tani nga vendi i shkatërruar nga lufta, sipas shifrave të OKB-së.
Të paktën 579 civilë janë vrarë dhe 1.002 janë plagosur në Ukrainë, sipas vlerësimeve të OKB-së.