Talha Yavuz
31 Tetor 2019•Përditësim: 01 Nëntor 2019
Agjencia daneze e Energjisë i ka dhënë leje kompanisë Nord Stream 2 AG që të ndërtojë një pjesë të gazsjellësit Nord Stream 2 në Detin Baltik, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Agjencia daneze e Energjisë i ka dhënë leje Nord Stream 2 AG që të ndërtojë një pjesë të gazsjellësit Nord Stream 2 në shelfin kontinental danez në juglindje të Bornholm-it në Detin Baltik", thuhet në kumtesën e agjencisë daneze.
Shtetet përgjatë rrugës së ndërtimit, duke përfshirë Gjermaninë, Finlandën dhe Suedinë, më herët kanë dhënë lejet.
Paraprakisht, Letonia, Lituania, Estonia, Polonia, Danimarka dhe Ukraina kanë shfaqur kundërshtimin e tyre për projektin, duke thënë se ai do të rriste varësinë e Bashkimit Evropian (BE) ndaj gazit rus, duke i bërë thirrje Evropës që të fokusohet në diversifikimin e burimeve të saj të energjisë.
Gazsjellësi Nord Stream 2 është një investim i përbashkët prej 1.200 kilometrash i kompanisë ruse Gazprom dhe pesë kompanive nga shtetet evropiane që synon të dyfishojë kapacitetin aktual vjetor të gazsjellësit Nord Stream prej 55 miliardë metra kub. Është paraparë që projekti të përfundojë në fund të këtij viti.