Davut Çolak
17 Janar 2019•Përditësim: 17 Janar 2019
KOPENHAGË (AA) – Autoritetet e Danimarkës pezulluan shitjen e armëve Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për shkak të luftës dhe krizës humanitare në Jemen, raporton Andolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm danez, Anders Samuelsen, dorëzoi një raport në parlamentin e vendit në të cilin theksohet se Emiratet e Bashkuara Arabe janë të përfshira në veprimet luftarake dhe në krizën e Jemenit.
Samuelsen tha se Danimarka pezulloi shitjen e të gjitha llojeve të armëve dhe pajisjeve ushtarake EBA-së, ashtu që të mos përfshiheshin në asnjë mënyrë në gjakderdhjen dhe në një nga krizat humanitare më serioze të ditëve tona.
Gazeta daneze "Information" raporton se qeveria e vendit ka urdhëruar ndalesën e eksportit të pajisjeve ushtarake në Emiratet e Bashkuara Arabe e cila i referohet kompanive publike dhe private.
Autoritetet daneze në fund të nëntorit ndërprenë shitjen e armëve edhe Arabisë Saudite e cila gjithashtu në mënyrë direkte është përfshirë në luftën e Jemenit, si dhe vrasjen brutale e gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll.
Jemeni është skena e një krize të thellë politike dhe të sigurisë që u përshkallëzua në luftë civile në fund të vitit 2014. Lëvizja rebele Huthi kontrollon kryeqytetin Sana dhe disa rajone të tjera të rëndësishme të vendit, ndërkaq qeveri e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit vepron nga qyteti port Aden.
Konfliktet në Jemen u përshkallëzuan më tej në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj filluan sulmet ajrore mbi bazat e kryengritësve.
Nga lufta është shkatërruar infrastruktura, duke përfshirë atë të shëndetit, furnizimit me ujë dhe kanalizimet, gjë që çoi OKB-në të përshkruaj situatën në Jemen si një nga fatkeqësitë më të mëdha humanitare të kohëve moderne.