Şerife Çetin
04 Korrik 2017•Përditësim: 04 Korrik 2017
BRUKSEL (AA) - Koordinatori i Këshillit të Bashkimit Europian kundër terrorizmit Gilles de Kerchove, tha se janë përcaktuar afërsisht 30 mijë faqe interneti të paligjshme të lidhura me organizatën terroriste DEASH, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kerchove, duke folur për gazetën belge "Le Soir" njoftoi se organizata ka një "kalifat virtual" dhe se zyra e Policisë Europiane (Europol) ka bërë të ditur se DEASH-i posedon afërsisht 30 mijë faqe interneti.
De Kerchove, ka paralajmëruar se edhe pasi kërcënimi i DEASH-i të mposhtet në terren, organizata mund të vazhdojë ndikimin e saj nëpërmjet faqeve të propagandës në internet.
De Kerchove i cili që nga viti 2007 kryen koordinimin e luftës kundër terrorizmit në BE theksoi se qytetarët duhet të trajnohen në kuadër të luftës kundër terrorizmit.
"Njerëzit duhet të trajnohen që të përcaktojnë trendet radikale. Shumë herë kam vërejtur se familjet nuk kanë mundur të kuptojnë se të afërmit e tyre janë në trende të gabuara".
Ai ka vënë në dukje se ligjet e BE-së janë të pamajftueshme në kuptimin e luftës kundër terrorizmit ndërsa mosdhënia e autoritetit tek ofruesit e shërbimeve të internetit për mbledhjen dhe regjistrimin e informacionit dëmton seriozisht proceset e përgjithshme të hetimit.
Muajin e kaluar në Samitin e Liderëve të BE-së ku u mblodhën 28 anëtarët e BE-së u arrit dakordësimi për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të parandaluar përhapjen e materialeve terroriste në internet.
Gjithashtu ishte potencuar përgatitja e rregullores ligjore për zhvillimin e mjeteve të reja të cilat do të sigurojnë përcaktimin automatik dhe eliminimin e materialeve të këtij lloji.