Ekip
10 Janar 2017•Përditësim: 10 Janar 2017
ATHINË (AA) – Departamenti i policisë greke për antiterrorizëm është duke kryer hetime për sulmin e armatosur të mëngjesit të sotëm para zyrës së Lëvizjes Socialiste Panhelenike (PASOK) në qendër të Athinës, në të cilin mbeti i plagosur një polic, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia greke tha për AA se së paku një sulmues ka hapur zjarr mbi autobusin policor para zyrës së lëvizjes në fjalë, duke lënë të plagosur një pjesëtar të saj.
Në një deklaratë të lideres së PASOK-ut, Fofi Gennimata, thuhet se sulmi paraqet një “sulm vrastar terrorist”, për të shtuar se situata e krijuar ka pasur për qëllim të prish qetësinë dhe sigurinë e banorëve lokalë.
“Vrasësit vepruan dhe u larguan në qetësi, duke përfituar nga qasja e vështirë në zonën e Exarcheia”, tha ajo.
Exarcheia, lagje në të cilën gjendet zyra qendrore e PASOK njihet si një zonë anarkiste në kryeqytetin grek.
Sulmuesi, ose sulmuesit, kanë përdorur armatim ushtarak, sipas të gjitha gjasave pushkë automatike, ndërkohë që policia njoftoi se ka gjetur tre gëzhoja të cilat janë dërguar për ekzaminim, dhe se ekipet e saj për antiterrorizëm po kryejnë hetime në vendin ku ndodhi sulmi.
Zyra e PASOK-ut është sulmuar rregullisht në të kaluarën, kryesisht nga anarkistët të cilët kanë përdorur koktej molotovi dhe gurë. Megjithatë, sulmet me armë janë të rralla.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi disa ditë pas arrestimit të anëtarëve kryesorë të ekstremit të majtë Lufta Revolucionare, të cilët më shumë se katër vite i kaluan në arrati pasi u gjykuan për terrorizëm.