Feride Pelin İnal
10 Janar 2017•Përditësim: 10 Janar 2017
GAZIANTEP (AA) - Zv/kryeministri i qeverisë së përkohshme të Sirisë, Muhammed Vexhih Xhuma ka thënë se bisedimet në Astana do të formojnë themelin e përgatitjeve për paqe dhe zgjidhje politike në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për gazetarin e AA-së Xhuma tha se për sa kohë që armëpushimit do të vazhdojë në Siri njerëzit nuk do të vdesin dhe gjithashtu do të krijohet një mundësi që shumë njerëz të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Pasi ka rikujtuar se vendimi i armëpushimit që hyri në fuqi në Siri fillimisht u kundërshtua nga regjimi i Asadit, organizatat terroriste DEASH dhe PYD-ja, Xhuma tha se përkundër kësaj ka arritur një punë të madhe Turqia e cila ka dhënë mbështetjen më të madhe për këtë.
Ai tha se Turqia në rajonin e saj dëshiron paqe, stabilitet dhe qetësi ku dhe për këtë tregon të njëjtën përpjekje në lidhje me bisedimet në Astana.
"Këto bisedime do të jenë përgatitje edhe për bisedimet që do të zhvillohen në ditët e ardhshme në Gjenevë. Bisedimet në Astana do të përgatisin paqen dhe në të njëjtën kohë do të formojnë përgatitjet për zgjidhjen politike. Turqia është shumë e vendosur në çështjen për sigurimin e qetësisë dhe të stabilitetit në Siri. Pas nisjes së operacionit 'Mburoja e Eufratit' në rajon ushtarët turq dhe ndikimi politik ka qenë shumë i madh. Madje ka një kontribut të madh edhe për përgatitjet në Astana dhe në Gjenevë. Shpresoj që të realizohen planet e parashikuara nga Turqia edhe pas fillimit të detyrës së presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump. Shpresoj që Siria të arrijë sa më parë qetësinë, stabilitetin dhe paqen", tha Xhuma
"Rusia kërkon të bëhet superfuqi"
Pasi ka cekur se Rusia ka kaluar në fazën e operacioneve politike Xhuma tha se "Faktikisht Rusia deri disa ditë më parë ishte ajo që bombardonte shtëpitë tona dhe masakronte njerëzit tanë, por tani ajo nga operacionet ushtarake kërkon të kalojë në operacionet politike. Ajo e bëri atë që dëshironte nga pikëpamja ushtarake. E mbështeti regjimin e Asadit. Përdori forcën e saj ushtarake për interesa të saj dhe jo për Asadin. Tashmë ajo në këtë rajon kërkon të sigurojë superioritet. Gjithashtu në të njëjtën kohë kërkon që të prezantohet si superfuqi".
Duke e cilësuar presidentin e Sirisë Bashar Asadin si "kriminelin më të madh në botë të luftës", Xhuma thekson se zgjidhja politike nuk do të jetë e mundur me një person i cili ka vrarë kaq shumë dhe ka larguar kaq shumë njerëz.
Sipas tij, në lidhje me çështjen e krizës së Sirisë në ditët në vijim do të arrihet në fazat e zgjidhjes politike dhe se pas bisedimeve të detajuara në Ankara, Moskë dhe në Astana për të arritur një zgjidhje do të formësohet plani i zgjidhjes.
"Në këtë ekuacion ne i besojmë Turqisë. Për ne garantuesja e vërtetë është Turqia. Po të mos jetë Turqia nuk i besojmë asnjë pale. Dëshirojmë që në bisedimet në Gjenevë pas bisedimeve në Astana të kontribuojnë edhe Kombet e Bashkuara dhe Amerika", tha Xhuma.