Ekip
22 Janar 2021•Përditësim: 23 Janar 2021
Disidenti i njohur egjiptian, Ayman Nour dhe kreu i partisë liberale "Ghad El Thawra", beson se revolucioni i 25 janarit të vitit 2011 në Egjipt nuk ishte as fitimtar dhe as i mposhtur, duke treguar se ka përpjekje për të bashkuar opozitën egjiptiane.
Duke folur për Anadolu Agency (AA) para 10-vjetorit të revolucionit gjithë-popullor që rrëzoi regjimin e ish-udhëheqësit, Hosni Mubarak, Nour tha: "Revolucioni pas një dekade nuk ka fituar por ai nuk është mposhtur ende", dhe shtoi se revolucioni tani do të hyjë në një fazë të re.
Nour shprehu besimin se po afrohet vala e dytë e revolucionit.
"Vala e parë ishte më 25 janar 2011, kurse një dekadë pas revolucionit, mendoj se ekziston një valë e dytë e revolucionit (sepse e para) nuk fitoi pasi arriti vetëm disa nga qëllimet e saj dhe nuk arriti disa të tjera", shtoi ai.
Sipas tij, revolucioni i parë ishte "delikat" dhe "i dobët" për shkak të "konspiracionit të kundër-revolucionit" i cili solli përsëri mbetjet e regjimit të Mubarakut.
"(Pas revolucionit të parë) ne ishim dëshmitarë të një viti të demokracisë", tha Nour, duke shtuar se aktet hakmarrëse nga regjimi i mëparshëm ishin plot "me komplote kundër demokracisë dhe revolucionit".
Megjithatë, Nour theksoi se as kundër-revolucioni nuk pati sukses. "Nuk ia doli të arrijë përparim në jetën e njerëzve dhe nuk ishte në gjendje të menaxhonte krizën ekonomike", duke potencuar se ndërsa njerëzit kanë humbur besimin në kundër-revolucionin, populli ende beson në revolucion. "Kjo është arsyeja pse unë parashikoj një valë të re të revolucionit në dekadën e dytë", shtoi ai.
Mundësi të reja
Nour sheh një numër treguesish që bëjnë një rreth të ri revolucioni në Egjipt shumë të mundshëm duke theksuar dinamikat ndërkombëtare dhe rajonale siç janë ndryshimi në administratën amerikane, ndryshimi i disponimit të Perëndimit dhe kriza e zgjidhur kohët e fundit mes vendeve të Gjirit.
"(Perëndimi) i cili e mbështeste Sisin si roje e luftës kundër terrorit e kuptoi se ai ishte një terrorist dhe vrasës", tha Nour, duke iu referuar vrasjes së Giulio Regeni, një 28-vjeçar student doktorature që studionte në Egjipt i cili u zhduk më 25 janar 2016.
Trupi i tij u gjet nëntë ditë më vonë me shenja të torturave në trup. Për çudi shenjat ishin të ngjashme me ato të shkaktuara nga torturat e policisë egjiptiane.
Kohët e fundit, Ministria e Jashtme e Italisë u zotua të zbardhë të vërtetën dhe të zgjidhë çështjen përmes kanaleve diplomatike ndërkombëtare.
Në lidhje me ndryshimin e administratës së SHBA-së, Nour shpreson se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Joe Biden nuk do të mbështesë tiraninë e Sisit.
"Ne kërkojmë nga të gjithë njerëzit që të mos ndërhyjnë në ndërlikimin e çështjes sonë dhe të mbështesin kundërshtarin tonë dhe kundërshtarin e demokracisë. Unë besoj se Biden dëshmoi rrezikun e grusht shtetit kundër kutive të votimit dhe ai duhet të kuptojë se çdo kërcënim që prek të drejtat dhe liritë tona gjithashtu prek ata", tha Nour.
Nour nënvizoi dështimin e Sisit për të ndaluar imigracionin e paligjshëm dhe mbylljes së grindjes mes vendeve të Gjirit mbi të cilën Sisi mbijetoi.
Uniteti midis partive të opozitës
Nour foli për përpjekjet e vazhdueshme për bashkimin e opozitës duke shprehur optimizëm se takimi nën një ombrellë do të mblidhet ose më 25 janar ose më 11 shkurt. Data e parë është dita kur filloi revolucioni kundër Mubarakut ndërsa e dyta është dita kur ai u përmbys.
Ai përshëndeti Turqinë dhe vlerat e presidentit, Recep Tayyip Erdoğan për pritjen e anëtarëve të opozitës egjiptiane dhe se vazhdimisht qëndroi pranë egjiptianëve.
Nour potencoi nevojën për një ndërmjetës të ndershëm dhe të besueshëm për zgjidhjen e krizës egjiptiane dhe la të kuptohet mundësinë që Turqia të marrë këtë rol në të ardhmen.
"Unë besoj se Turqia gjithmonë është e shkëlqyer dhe rolet e saj janë të shkëlqyera, dhe ajo kurrë nuk heq dorë nga të shtypurit në të gjitha pjesët e botës", tha ai.