Rahmi Gündüz
21 Prill 2017•Përditësim: 21 Prill 2017
PARIS (AA) - Prokurori i Parisit, François Molins, ka njoftuar se pranë trupit të të dyshuarit të vrarë gjatë sulmit terrorist në bulevardin Champs Elysees është gjetur një mesazh me shkrim dore në një letër, ku mbrohet organizata terroriste DEASH, raporton Anadolu Agency (AA).
Molins ka mbajtur një konferencë për shtyp në lidhje me sulmin e ditës së djeshme, ku humbi jetën një polic dhe u plagosën dy të tjerë.
"Menjëherë pranë sulmuesit të vrarë është gjetur një mesazh që ishte shkruar me shkrim dore ku mbrohej kauza e DEASH-it, me shumë mundësi letra ku shkruhej mesazhi ka rënë nga xhepi i tij", është shprehur Molins.
Prokurori Molins ka konfirmuar se sulmuesi është 39 vjeçari Karim Cheurfi dhe se ky person ka qenë i dënuar edhe më parë 4 herë. Për herë të parë ka hyrë në burg në vitin 2001, ndërsa për 4 dënimet që ka marrë duke përfshirë edhe për një plagosje të një polici ai ka kryer gjithsej 14 vite burg.
Duke vënë në dukje se nuk ka ndonjë provë se sulmuesi ka treguar ndonjë tendencë për radikalizim në burg, ka përgënjeshtruar lajmet e mëparshme në shtyp. Ai ka njoftuar se sulmuesi nuk ndodhej në "listën S" ku janë të përfshirë të dyshuarit për terrorizëm.
Sulmuesi i cili ka parkuar automjetin pranë automjetit të policisë ka qëlluar më pas në kokë me kallashnikov policin 37 vjeçar Xavier Jugele duke shkaktuar dhe vdekjen e tij, ka konfrmuar Molins.
Më tej pasi ka shtuar se brenda këtij viti sulmuesi ishte ndaluar për një periudhë pas një informacioni se kishte siguruar armë dhe në lidhje me një tentativë për të kryer sulm ndaj forcave të sigurisë, Molins tha se ai ishte liruar për mungesë provash, ndërsa ndodhen të ndaluar për t'u hetuar tre persona të afërt të sulmuesit.
Ndërsa në anën tjetër Jean-Laument Panier, i cili më parë ka qenë avokat i sulmuesit duke vënë në dukje se Karim Cheurfi nuk ka qenë një person fetar, ai tha se ish klienti i tij ka patur probleme serioze psikologjike.
Gjithashtu edhe kanali BFM ka njoftuar se edhe personat e njohur përreth sulmuesit janë të mendimit se Karim Cheurf nuk ishte fetar.