Faruk Zorlu,Handan Kazancı
25 Shkurt 2022•Përditësim: 25 Shkurt 2022
Kryeqyteti ukrainas Kiev është lëkundur nga disa shpërthime herët mëngjesin e sotëm, në ditën e dytë të ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Seria e shpërthimeve në Kiev u dëgjua në orën 04:20 të mëngjesit me orën lokale, e ndjekur nga shpërthime të tjera më vonë.
Sirenat u dëgjuan kudo, duke paralajmëruar publikun të kërkojë strehim. Derisa disa civilë u përpoqën të largohen nga qyteti, të tjerë u strehuan në stacionet e metrosë dhe bodrume.
Sirenat në Kiev po ashtu u dëgjuan edhe në orën 07:05 sipas kohës lokale.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se të paktën tre persona u plagosën në një sulm me raketa në një ndërtesë në kryeqytetin ukrainas. Duke shpërndarë një foto të ndërtesës së shkatërruar, Klitschko tha se ambulancat kanë dërguar të plagosurit në spital dhe se një person është në gjendje kritike pasi një fragment rakete goditi ndërtesën e banimit.
Dje, shpërthime të ngjashme u raportuan në kryeqytet dhe në qytete të tjera, përfshirë Kharkov, Kramatorsk, Mariuol, Mykolaiv dhe Odessa, të gjitha nën sulm nga forcat ruse.
Ndërhyrja ushtarake e pritur në Ukrainë u njoftua herët mëngjesin e të enjtes nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili tha se qëllimi i operacionit është të mbrojë njerëzit që i “nënshtrohen gjenocidit” nga Kievi dhe të "çmilitarizojë dhe de-nazifikojë" Ukrainën. Ai i bëri thirrje ushtrisë ukrainase të dorëzojë armët.
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky më shumë se 130 persona, përfshirë civilë, u vranë në ditën e parë të ndërhyrjes ushtarake.