Ekip
26 Gusht 2019•Përditësim: 26 Gusht 2019
Ministri i Kulturës i Jemenit, Marwan Dammaj ka akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për shfrytëzimin e konfliktit në vend për të marrë kontrollin e porteve dhe brigjeve të vendit të tij, raporton Anadolu Agency (AA).
EBA-të ndodhen në qendër të akuzave në Jemen pasi forcat separatiste të mbështetura nga EBA-të morën nën kontroll të gjitha kampet ushtarake qeveritare dhe pallatin presidencial në qytetin jugor të Adenit pas përleshjeve me forcat qeveritare.
Dhuna ka shkaktuar shtimin e zërave brenda qeverisë jemenase për përjashtimin e EBA-së nga koalicioni i drejtuar nga Arabia Saudite që lufton rebelët Huthi që nga viti 2015.
Dammaj përmes një postimi në Twitter sot tha se thirrjet për ndarjen e Jemenit jugor "kanë qenë të pranishme para luftës së shkaktuar nga lëvizja Huthi".
"Por, themelimi dhe armatosja e një lëvizje separatiste dhe mundësimi i tyre për marrjen e kontrollit në jug dhe minimi i legjitimitetit është një sjellje e EBA-së që shkon në kundërshtim me detyrimet e saj ligjore dhe ndërkombëtare dhe si anëtar i koalicionit që mbështet legjitimitetin", tha ai, duke iu referuar Koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.
Jemeni u zhyt në një luftë civile në 2014 kur rebelët Huthi të mbështetur nga Irani pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.
Dhuna e vazhdueshme ka shkatërruar infrastrukturën e Jemenit, duke bërë që OKB-ja ta përshkruajë situatën si "një nga katastrofat më të këqija humanitare të kohërave moderne".