Ali H. M.Abo Rezeg
09 Prill 2017•Përditësim: 09 Prill 2017
KAJRO (AA) – Të paktën 21 persona e kanë humbur jetën nga shpërthimi i një bombe në një kishë në veri të Egjiptit të dielën, njofton Ministria egjiptiane e Shëndetësisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Shpërthimi është raportuar brenda kishës së 'Shën Gjorgjit' në qytetin e Deltës së Nilit, në Tanta mëngjesin e së dielës.
"Nga shpërthimi jetën e kanë humbur 21 persona dhe 59 të tjerë janë plagosur", thuhet në deklaratën e zëdhënësit të ministrisë Khaled Muxhahid.
Mbetet e paqartë nëse shpërthimi ishte shkaktuar nga një bombë ose nga sulmues vetëvrasës me bombë.
Shpërthim para një kishe në Aleksandria
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur para një kishe në qytetin egjiptian Aleksandria, vetëm disa orë pasi një shpërthim i ngjashëm kishte ndodhur në veri të vendit.
Mediat lokale raportojnë se disa persona janë plagosur nga shpërthimi në afërsi të kishës në Aleksandria.
Autoritetet kompetente janë në terren dhe së shpejti priten më shumë detaje rreth sulmeve me bomba.
Deri më tani asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për shpërthimet.
Sulmet kanë ndodhur në prag të festës krishtere që përkujton hyrjen e Jezu Krishtit në Jerusalem.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar në Egjipt pati ndodhur një sulm i ngjashëm me bombë në një kishë në Kajro ku u vranë të paktën 25 persona.
Të krishterët koptë sipas vlerësimeve përbëjnë nga 8 deri 10 përqind të popullsisë së përgjithshme prej rreth 90 milionë të Egjiptit.