Ekip
29 Shtator 2020•Përditësim: 29 Shtator 2020
Një seri demonstratash kanë vazhduar në të gjithë Egjiptin në 8 ditët e fundit pas thirrjeve nga aktivistët dhe anëtarët e opozitës që kërkojnë dorëheqjen e presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në mesin e atyre që bëjnë thirrje për protesta është edhe biznesmeni egjiptian që jeton në Spanjë, Mohamed Ali.
Fondacioni Arab për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AFSS), një organizatë humanitare që ka monitoruar protestat, deklaroi në një raport se regjistroi 164 protesta në 14 nga 27 rajonet midis datave 20-27 shtator në të cilat qindra persona ishin arrestuar, përfshirë fëmijë.
"Forcat e sigurisë kanë arrestuar qindra demonstrues, duke përfshirë 68 fëmijë që u liruan më vonë, ndërsa të paktën 150 demonstrues u hetuan nga Prokuroritë e Sigurimit të Shtetit për akuzat e terrorizmit në 21 shtator", thuhet në raport.
Raporti gjithashtu shtoi se protestuesit u akuzuan për vepra penale përfshirë "bashkimin me një grup terrorist, transmetimin dhe shpërndarjen e thashethemeve, lajmeve dhe deklaratave të rreme, si dhe keqpërdorimin e mjeteve të komunikimit dhe financimin dhe nxitjen e njerëzve për të protestuar".
Qeveria egjiptiane nuk ka komentuar ende arrestimet.
Nga ana tjetër, mediat lokale raportuan arrestimin e disa protestuesve të akuzuar për "posedim të pajisjeve flakëruese" me qëllimin për të "shkaktuar trazira ose bllokim rrugësh".
Në raportin e tij, AFSS i atribuoi arsyet e shpërthimit të protestave në Egjipt "mungesës së pjesëmarrjes në vendimmarrje, nacionalizimit të vazhdueshëm të partive, sindikatave dhe shoqërisë civile, lirisë së kufizuar politike, dominimit të agjencive shtetërore mbi parlamentin, 'të burgosurit e ndërgjegjes' dhe përkeqësimi i standardit të jetesës".
AFSS u bëri thirrje autoriteteve egjiptiane të "respektojnë të drejtën për protestë paqësore, të lirojnë të gjithë të arrestuarit në demonstrata dhe të ndalojnë përdorimin e forcës së tepruar kundër opozitës dhe demonstruesve".
Autoritetet egjiptiane pretendojnë se e drejta për të demonstruar është e garantuar për të gjithë, por që demonstruesit duhet së pari të marrin miratimin nga autoritetet e sigurisë.
Megjithatë, protestuesit thanë se kërkesa është "e palogjikshme" sepse autoritetet e sigurisë ose mund t'ua refuzojnë kërkesën, ose t'i arrestojnë.
Që nga 20 shtatori, qytetet dhe fshatrat egjiptiane kanë qenë dëshmitarë të demonstratave të natës që kërkonin largimin e al-Sisit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lirisë politike.
Ka raporte kontradiktore në lidhje me madhësinë dhe përhapjen e demonstratave me mediat pro-qeveritare që i përshkruajnë ato "shumë të kufizuara" ndërsa media e opozitës i quan masive dhe që "thyejnë barrierën e frikës".
Forcat egjiptiane të sigurisë filluan fushata arrestimi të rastësishme në rrugë, të cilat përfshinin kërkimin e telefonave të personave për fotot e protestave.
Al-Sisi erdhi në pushtet në Egjipt në korrik të vitit 2013, pasi ai rrëzoi presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit, Mohammad Morsi.