Ali H. M.Abo Rezeg
25 Dhjetor 2016•Përditësim: 26 Dhjetor 2016
KAJRO (AA) – Autoritetet e Egjiptit kanë arrestuar një gazetar të televizionit Al Jazeera nën pretekstin se “ka nxitur rebelim kundër shtetit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Burime nga gjyqësori në Egjipt thonë se Mahmoud Hussein, nga televizioni Al Jazeera me seli në Doha, ishte arrestuar javën e kaluar gjatë një vizite familjare të tij në Kajro.
Të shtunën, prokuroria Shtetërore i caktoi masën e paraburgimit 15 ditorë me akuzën “se ka publikuar lajme të cilat kanë nxitur rebelim kundër shtetit”, deklaroi burimi i lartpërmendur në kushte anonime.
Në një deklaratë, Ministria e Brendshme tha se Hussein ka qenë mbikëqyrës i një fushate mediatike të televizionit Al Jazeera për të transmetuar "lajme të rreme, raporte të fabrikuara dhe dokumentarë" me synimin për nxitjen e rebelimit ndaj institucioneve shtetërore”. Aktualisht nuk ka ndonjë koment të bërë nga Al Jazeera lidhur me akuzat.
Autoritetet e Egjiptit akuzojnë Al Jazeera-n se favorizon Vëllazërinë Muslimane, grup i ish-presidentit Mohamed Morsi i cili u përmbys në vitin 2013 me anë të një grusht shteti.
Shteti i Katarit, ku ka selinë televizioni Al Jazeera, ka kritikuar largimin e Morsit ndërkohë që paraqet strehë për shumë anëtarë të Vëllazërisë, të cilët janë larguar pas goditjes së ashpër që pësuan nga Egjipti në vitin 2013.