SELMAN AKSÜNGER
Historiani holandez dhe eksperti për Rusinë, Hubert Smeets lavdëroi rolin "ndërmjetës" të Turqisë në negociatat e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës që do të mbahen në Stamboll më 15 maj dhe shprehu mendimin e tij se pozicioni i saj është i rëndësishëm.
Ndërsa pritet që presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të takohen për bisedimet që do të organizohen nga Turqia në Stamboll, historiani holandez, eksperti për Rusinë dhe gazetari Smeets deklaroi për Anadolu se "Pozicioni i Turqisë është i rëndësishëm".
Smeets i cili për shumë vite ka punuar si gazetar në Moskë dhe Kiev, tha se Turqia mund të luajë rol kritik në negociatat e paqes Rusi-Ukrainë për shkak të marrëdhënieve që ajo ka me Rusinë dhe pozicionimit të Rusisë ndaj Turqisë.
Ai thekson se Turqia ka avantazh të rëndësishëm në tryezën diplomatike. "Nëse Turqia i mbyll ngushticat për marinën ruse, ky mund të jetë problem serioz për rusët. Ky është një avantazh që qeveria turke, mendoj se nuk e ka përdorur kurrë", tha Smeets.
- "Ardhja e Putinit në Stamboll ka shumë kuptim në aspektin simbolik"
Historiani holandez thotë se nuk është i sigurt nëse presidenti rus Putin do të marrë apo jo pjesë personalisht në negociatat që do të zhvillohen në Stamboll. "Pritja ime që vetë Putini të jetë në Stamboll dhe të marrë pjesë në negociata është shumë e ulët. Putini nuk dëshiron të jetë pjesë e negociatave sepse falë kësaj ai do të gjejë hapësirën politike që dëshiron për të hedhur poshtë rezultatet e para që do të dalin nga Stambolli", tha ai.
"Nëse Putini vjen vërtet në Stamboll, kjo ka shumë kuptim në aspektin simbolik. Sepse atëherë Putini do të ketë treguar se është gati të flasë me dikë që nuk e njeh si kreun legjitim të shtetit të Ukrainës. Në Moskë dhe Kremlin, ata gjithmonë flasin për neonazistët në Ukrainë, fashistët në Kiev, përpjekjen për grusht shteti që u dha atyre pushtet dhe për Perëndimin. Me fjalë të tjera, ata e kanë bërë të qartë për disa vite se nuk e marrin seriozisht Ukrainën si një shtet të pavarur dhe sovran. Nëse ai (Putini) vjen në Stamboll, ai do të flasë me dikë që nuk e ka njohur për tre vitet e fundit" shprehu historiani holandez Smeets.
Duke vlerësuar një armëpushim të mundshëm midis Rusisë dhe Ukrainës, Smeets tha "Nëse Putini vjen në Stamboll dhe ka negociata midis dy delegacioneve (delegacioneve ukrainase dhe ruse), atëherë pritjet për një armëpushim rriten vërtet seriozisht".
- "Evropa është një objektiv për Rusinë"
Pasi vuri theksin se Stambolli është një vend më i përshtatshëm për negociata paqeje sesa kryeqytetet në Evropë, Smeets vazhdoi si më poshtë:
"Një tryezë negociatash në Berlin ose Londër do të ishte absolutisht e papranueshme për Rusinë. Evropa shihet si një armik për Rusinë dhe në të njëjtën kohë Evropa ka qenë objektivi kryesor për Rusinë që nga Kongresi i Vjenës. Politika e jashtme e Rusisë mund të përmblidhet me një gjë: nuk do të ketë paqe në Evropë pa Rusinë. Sipas diplomacisë ruse, është Rusia ajo që përcakton kushtet për paqe në Evropë".
Ai shpjegoi se Rusia e pozicionon Turqinë ndryshe nga Evropa dhe nuk e sheh atë si kërcënim. "Turqia është anëtare e NATO-s, por kjo nuk është arsye e mjaftueshme që qeveria ruse ta shohë Turqinë si armik në të njëjtën mënyrë siç e sheh Evropën. Nuk është një superfuqi bërthamore, por Turqia është një fuqi serioze ushtarake dhe industriale", shtoi Smeets.
- "Ukraina është shumë e interesuar për marrëdhënie të mira me Turqinë"
Lidhur me rëndësinë e mbajtjes së negociatave në Stamboll, Smeets tha se "Sigurisht, ndoshta udhëheqësit do të takohen, por të paktën fakti që delegacionet do të takohen në Stamboll ofron më shumë mundësi për negociata që mund të çojnë në një armëpushim".
Sipas tij, Ukraina u kushton rëndësi edhe marrëdhënieve të saj me Turqinë. "Ukraina është shumë e interesuar për marrëdhënie të mira me Turqinë, kjo edhe për shkak të Ngushticave. Deti i Zi është më i rëndësishëm për Ukrainën, ushtarakisht dhe komercialisht, sesa për Rusinë. Deti i Zi është e vetmja dalje detare për Ukrainën", tha Smeets.
- Negociatat në prill 2022
Historiani holandez dhe eksperti për Rusinë, Smeets rikujtoi se negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës u zhvilluan në Stamboll në vitin 2022 dhe shtoi se "Për tre vjet, Putini dhe qeveria ruse kanë pretenduar se një marrëveshje pothuajse u arrit në Stamboll në prill të vitit 2022. Megjithatë, nuk pati asnjë dokument të dakorduar në vitin 2022".
Ai nënvizoi se gjatë negociatave në Stamboll në vitin 2022 kishte mosmarrëveshje serioze midis delegacioneve ukrainase dhe ruse për dy çështje kryesore.
"Së pari, bëhej fjalë për fuqitë që do të monitoronin dhe kontrollonin armëpushimin. Për shembull, një nga kushtet për Ukrainën ishte që Turqia të ishte garantuese e armëpushimit. Rusia ishte kategorikisht kundër kësaj dhe e paraqiti Bjellorusinë si garantuese si një alternativë ndaj Turqisë. Çështja e dytë që mbeti e pazgjidhur në negociatat e vitit 2022 në Stamboll ishte zona e ndalim-fluturimit", tha Smeets.
Sipas tij, Ukraina ishte në një pozicion më të dobët në negociatat në vitin 2022 sesa që është sot.
"Në vitin 2022, gjatë negociatave në Stamboll, Ukraina ishte në prag të katastrofës. Ajo e kishte mbrojtur me sukses Kievin, por ushtria ukrainase nuk kishte parashikime për atë që do të ndodhte më pas. Për më tepër, gjatë negociatave, lajmet për krimet e luftës në Bucha u bënë publike dhe kjo ndikoi shumë në atmosferën në Kiev. Pra, situata aktuale e Ukrainës sipas mendimit tim, është më e fortë sesa ishte gjatë negociatave në Stamboll në vitin 2022", tha historiani holandez dhe eksperti për Rusinë, Hubert Smeets.