Diyar Güldoğan
03 Gusht 2017•Përditësim: 04 Gusht 2017
MOSKË (AA) – Ndonëse rrugët e ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të kryqëzohen të premten, ekspertët rusë nuk presin ndonjë rezultat produktiv nga një takim i tyre i mundshëm, shkruan Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe homologu i tij amerikan Rex Tillerson pritet të takohen në margjina të Forumit të 24-të Rajonal të ASEAN-it, i cili të premten do të mbahet në kryeqytetin e Filipineve, Manila.
"Në të kaluarën janë zhvilluar shumë takime dhe biseda telefonike mes përfaqësuesve të administratës së re amerikane dhe qeveritarëve rusë. Të dyja palët folën për negociata të pavlefshme, pas çka marrëdhëniet u përkeqësuan akoma më shumë”, deklaroi për AA kryeredaktori i javores “Russia in Global Affairs”, Fyodor Lukyanov.
Ai tha se atmosfera e cila ka shoqëruar marrëdhëniet dypalëshe ishte e tmerrshme, në disa momente më e keqe se ajo gjatë Luftës së Ftohtë.
"Për mendimin tim, kjo ndodh sepse niveli i besimit aktualisht është shumë më poshtë. SHBA-të nuk e respektojnë Rusinë ashtu siç respektonin BRSS-në”, shtoi më tej ai.
Së fundmi, tensionet mes SHBA-ve dhe Rusisë u acaruan akoma më shumë, si pasojë e nënshkrimit të ligjit nga ana e presidentit amerikan Donald Trump, i cili të mërkurën autorizoi sanksione të reja kundër Rusisë me akuzën për përzierje të kësaj të fundit në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA.
Rusia nga ana e saj u kundërpërgjigj duke reduktuar numrin e personelit diplomatik amerikan në Rusi, dhe duke ndaluar përdorimin e rezidencës verore në Moskë.
Pa marrëveshje
Sa i përket masave hakmarrëse, Moska gjithashtu tha se rezervon të drejtën të përdor masa të tjera që prekin interesat e SHBA-ve.
Drejtori i Institutit për Lindjen e Mesme, Evgeny Satanovsky, ka shprehur pesimizmin e tij për përmirësimin e mundshëm të marrëdhënieve në një të afërme të shpejtë.
"Tek pala amerikane nuk shoh një dëshirë të sinqertë (për përmirësim të marrëdhënieve) dhe ky takim më shumë do të shërbejë që situata të mos përkeqësohet nga që mund të shërbejë për përmirësim të raporteve”, tha ai.
Lidhur me parortet SHBA-Rusi, ka folur edhe drejtori i agjencisë këshilldhënëse politike “Urus Advisory”, Alexey Panin, i cili tha se mosbesimi në Rusi është rritur nga shkaku i pozitës së paqartë të administratës amerikane.
"Edhe nëse Lavrov dhe Tillerson arrijnë ndonjë pajtim të mundshëm, nuk do të ketë asnjë marrëveshje", tha Panin.
Ndonëse disa, veçanërisht në Moskë, kanë qenë të joshur nga fitorja e Trumpit të cilën e kanë parë si të favorshme për interesat e Rusisë, presidenti amerikan nga ana e tij përkundër zotimeve se dëshiron të bashkëpunojë me presidentin rus Vladimir Putin, ka duart e lidhura nga shkaku i një hetimi që po zhvillohet.
Në të vërtetë, një komision i Senatit dhe FBI, po zhvillojnë hetime të veçanta për atë që zyrtarët e inteligjencës amerikane e kanë quajtur një "fushatë ndikimi të Rusisë”, që synon të anulojë zgjedhjet e vitit të kaluar në favor të Trumpit si dhe të konstatojë nëse vallë fushata e Trumpit mori pjesë në ato përpjekje.