Serdar Bıtmez,Zeynep Tüfekçi Gülay
14 nëntor 2022•Përditësim: 15 nëntor 2022
Në kryeqytetin Doha, Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, ka vizituar dhe inspektuar qendrën administruese të Kupës së Botës FIFA 2022, e cila do të fillojë ditën e dielë në Katar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi nga Emirati i Katarit, Al-Thani vizitoi dhe mori informacione nga zyrtarët lidhur me Qendrën e Operacioneve të FIFA-s dhe Qendrën e Operacioneve të Kupës së Botës Katar 2022 të cilat janë ngritur në Qendrën e Ekspozitave dhe Kongresit në Doha.
Emiri i Katarit gjatë vizitës është shoqëruar edhe nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Thuhet se Al-Thani ka inspektuar në vend përgatitjet dhe masat që janë marrë për të arritur standardet më të larta ndërkombëtare për ndjekjen dhe koordinimin e kampionatit.
Kupa e Botës FIFA 2022 do të fillojë më 20 nëntor nën organizimin e Katarit, i cili do të jetë vendi i parë arab që organizon Kupën e Botës në Lindjen e Mesme.