Tufan Aktaş
09 Korrik 2018•Përditësim: 10 Korrik 2018
ADDIS ABABA (AA) - Një deklaratë e paqes dhe miqësisë u nënshkrua mes Etiopisë dhe Eritresë, dy vende të Afrikës që zhvilluan negociata për paqe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Informacionit i Eritresë, Yemane Gebremeskel, në një deklaratë në llogarinë e tij në mediat sociale ka njoftuar se presidenti i Eritresë, Isaias Afewerki dhe kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, në kryeqytetin Asmara kanë nënshkruar deklaratën e miqësisë dhe paqes.
Gebremeskel, ka theksuar se me deklaratën prej 5 pikash ka përfunduar situata e luftës mes dy vendeve.
Sipas deklaratës, dy vendet do të bashkëpunojnë në fushat e ekonomisë, politikës, kulturës dhe sigurisë si dhe në të njëjtën kohë do të rinovojnë edhe lidhjet diplomatike. Gjithashtu të dy vendet do të punojnë së bashku për të siguruar paqen rajonale, zhvillimin dhe bashkëpunimin në fushën e biznesit.
Kryeministri i Etiopisë, Ahmed, i cili ka kryer një vizitë historike në Eritre, dje njoftoi se dy vendet kishin marrë vendimin për të hapur në mënyrë të ndërsjellë ambasadat.
Dhjetëra mijëra persona humbën jetën në luftën e zhvilluar gjatë viteve 1998-2000 mes dy vendeve për shkak të mosmarrëveshjeve kufitare pasi Eritrea fitoi pavarësinë e saj në vitin 1993 nga Etiopia.