Islam Uddin
03 Mars 2022•Përditësim: 03 Mars 2022
Ambasada e Rusisë në Australi u evakuua sot pasi mori një pako të dyshimtë, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas "Sky News", ambasadës ruse në Canberra iu dorëzua një zarf me pluhur të bardhë, i cili shkaktoi panik.
Policia dhe shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje dhe menjëherë evakuuan ndërtesën si dhe rrethuan zonën përreth ambasadës.
Zëdhënësi i policisë konfirmoi rastin, duke thënë: "Kemi vendosur një kordon ndërsa qytetarëve u kërkohet të shmangin zonën deri në një njoftim të radhës".
Qeveria australiane u pozicionua me partnerët e saj perëndimorë dhe vendosi sanksione ekonomike dhe ndalim udhëtimi kundër Rusisë dhe zyrtarëve të saj të lartë pasi ajo sulmoi Ukrainën.
Të mërkurën, Ambasada Ruse paralajmëroi australianët vendas që të përmbahen nga komentet nënçmuese në faqet e tyre në mediat sociale pas protestës që u mbajt para ambienteve të saj.
"Të dashur ndjekës, ju lutemi që të komunikoni në mënyrë të denjë. Në përputhje me politikën tonë të përmbajtjes. Ambasada rezervon të drejtën të heq çdo përmbajtje nënçmuese ose të turpshme dhe të ndërpresë qasjen në faqet e saj të mediave sociale për autorët e komenteve dhe publikimeve të tilla", thuhet në postimin e ambasadës ruse në Twitter.