Ekip
20 Janar 2017•Përditësim: 21 Janar 2017
ROMË (AA) - Tetë persona janë shpëtuar nën rrënojat e hotelit i cili kishte mbetur nën ortekun e borës në pjesën qendrore të Italisë ditë më parë, pas një seri tërmetesh, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave italiane, pas 43 orësh kanë filluar të vijnë lajme të mira nga persona të cilët kanë mbetur nën rrënojat e hotelit Rigopiano në rajonin Rigopiano në perëndim të qytetit Pescara, i cili kishte mbetur nën ortek si pasojë e tërmeteve në vend.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA njoftoi se numri i personave të cilët janë gjetur të gjallë nën rrënoja është rritur në 8.
Më tej thuhet se në fazën e parë të punimeve për kërkim shpëtim janë shpëtuar 6 persona, prej të cilëve një grua dhe dy fëmijë. Ndërsa në një pjesë tjetër të rrënojave janë shpëtuar edhe dy persona.
Theksohet se personat të cilët janë shpëtuar nga rrënojat kanë qenë shumë të lumtur se janë shpëtuar. Disa prej tyre janë transferuar në spitalet në Pescara.
Gjithashtu potencohet se pasi që janë gjetur 8 persona, është rritur shpresa e punojësve të kërkim shpëtimit për gjetjen e personave të tjerë.
Ndërkohë, bëhet e ditur se numri i personave në hotel ka qenë 35, prej të cilëve 11 punonjës dhe 24 mysafirë të hotelit. Më parë u njoftua për dy të vdekur por në deklaratën nga autoritetet e zjarrfikësve të Italisë është njoftuar se deri më tani janë nxjerrë 2 kufoma nga rrënojat.