Gamze Türkoğlu Oğuz
26 Janar 2019•Përditësim: 27 Janar 2019
ANKARA (AA) – Shumica e muslimanëve Moro në referendumin e mbajtur para do kohe në jug të Filipineve votuan “për” marrëveshjen që parasheh themelimin e rajonit autonom Bangsamoro, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të “CNN Philippines”, numërimi zyrtar i votave ka përfunduar.
Sipas rezultatit të votimit, mbi 1 milion e 540 mijë qytetarë votuan “për” marrëveshjen e cila parasheh themelimin e rajonit autonom Bangsamoro. Në rrethin e parë të votimit, “kundër” votuan” 198.750 qytetarë.
Qyteti Cotabato, në të cilin shumica votoi “për” marrëveshjen, po ashtu do të jetë pjesë e rajonit autonom Bangsamoro.
Në raundin e parë të votimit, 1.7 milionë votues e shfrytëzuan votën ndërsa raundi i dytë i votimit do të mbahet më 6 shkurt.
Kujtojmë se në jug të Filipineve të hënën u mbajt referendumi historik, në të cilën popullata lokale votoi për një marrëveshje që parashikon krijimin e Rajonit Autonom Bangsamoro.
Referendumi u mbajt nën masa të larta të sigurisë ndërsa me themelimin e Bangsamoro-s do të pushojë së ekzistuari rajoni autonom “Mindanao Musliman”.
Pas dekadave të shtypjes nën sundimin amerikan dhe filipinas, populli musliman në jug të Filipineve bëri hapin përfundimtar drejt krijimit të administratës së tyre që do të mbetet në Filipine, por me një shkallë të konsiderueshme të autonomisë.