Betül Yürük,Gökhan Kurtaran
19 Janar 2016•Përditësim: 20 Janar 2016
DAVOS (AA) – Në qytetin e vogël turistik Davos, në Zvicrën nesër fillon Forumi i 46-të me radhë Ekonomik Botëror (WEF), raporton Anadolu Agency (AA).
Në forumin e sivjemë, i cili do të zgjasë nga 20 deri më 23 janar, do të marrin pjesë zyrtarë të lartë dhe liderë prej gjithsej 40 vendeve të botës, ndërsa pritet që tema kryesore të jetë kriza e refugjatëve dhe ndryshimet klimatike, si dhe zhvillimet tjera globale.
Në forum të pranishëm pritet të jenë zëvendëspresidenti i SHBA-ve Joe Biden, sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, kryeministri britanik David Cameron, kryeministri turk Ahmet Davutoglu, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, kryeministri grek Aleksis Tsipras, kryeministri kanadez Justin Trudeau, presidenti i Azerbejxhanit Ilham Alijev, presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore Mustafa Akinci, ministri i Punëve të Jashtme të Iranit Gavad Zarif, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (KB) Ban Ki-moon, dhe aktorët e njohur holivudiuan Leonardo Di Caprio dhe Keven Spacey.
Në takimin me titull “Revolucioni i katërt industrial” në tema të ndryshme do të bisedojnë 2.500 përfaqësues të mbi 100 vendeve.
Në forumin, i cili çdo vit përballet me protesta të ndryshme dhe dënime se është “elitar”, duke marrë parasysh faktin se viti i kaluar u shënua me krizën e refugjatëve, është përgatitur edhe një person simulues për të treguar kushtet e vështira nëpër të cilat kalojnë refugjatët.
Përveç zyrtarëve të lartë, në forum do të marrin pjesë edhe përfaqësues të sektorit joqeveritar, shkencëtarë dhe përfaqësues të bashkësisë fetare.