Ekip
03 Korrik 2017•Përditësim: 04 Korrik 2017
PARIS (AA) - Autoritetet franceze javën e kaluar kanë arrestuar një të ri i cili kishte planifikuar që gjatë paradës ushtarake më 14 korrik, të kryej sulm ndaj presidentit francez Emmanuel Macron dhe grupeve minoritare, kurse ndaj të dyshuarit është ngritur akuzë paraprake për terrorizëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e prokurorit të Parisit Agnes Thibault-Lecuvre ka konfirmuar të hënën se planet e 23-vjeçarit të dyshuar ishin të paqarta dhe të papërfunduara dhe sipas të gjitha gjasave ka vepruar vetëm.
Ajo theksoi se i riu u arrestua në periferi të Parisit të enjten dhe se ka pranuar në polici se ishte duke planifikuar, që në ditën e paradës ushtarake në "Champs Elysees" më 14 korrik, në Ditën e rënies të Bastijës, të vrasë presidentin francez. Ai gjithashtu ka shfaqur edhe qëndrime nacionaliste.
Franca më 14 korrik shënon festën e saj kombëtare, Ditën Bastijës, dhe me këtë rast në "Champs Elysees" do të mbahet paradë ushtarake, në të cilën do të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Macron pas paradës do të vizitojë Nicën, ku shënohet përvjetori i sulmeve terroriste, kur sulmuesi me kamion shtypi një turmë njerëzish, duke lënë të vdekur 86 persona.