Muhammet Kurşun
09 Janar 2019•Përditësim: 09 Janar 2019
TEHRAN (AA) - Ministri i Jashtëm i Iranit, Muhammed Javad Zarif, ka pretenduar se vendet evropiane, si Franca, Holanda dhe Danimarka, mbrojnë terroristët që kanë vrarë 12 mijë iranianë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zarif nëpërmjet një postimi nga llogaria e tij në Twitter i është përgjigjur deklaratave të Holandës dhe Danimarkës në lidhje me Iranin.
"Akuzimi i Iranit, nuk do ta shpëtojë Evropën nga përgjegjësia e strehimit të terroristëve", është shprehur Zarif. Ai ka pretenduar se vendet evropiane përfshirë Francën, Holandën dhe Danimarkën strehojnë Organizatën Muxhahedinët e Popullit të cilët kanë vrarë 12 mijë iranianë dhe kanë kryer krime kundër kurdëve irakianë të Sadamit, si dhe, sipas tij, strehojnë terroristët e tjerë në Evropë që kanë vrarë iranianët e pafajshëm.
Agjencia Holandeze për Sigurinë dhe Inteligjencën (AIVD), në një deklaratë me shkrim njoftoi se posedojnë prova të forta që vrasjet e personave me origjinë iraniane gjatë viteve 2015 dhe 2017 në Holandë kanë lidhje me Iranin. Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, në një deklaratë me shkrim mbi çështjen ishte shprehur se Bashkimi Evropian (BE) me kërkesë të Holandës ka vendosur sanksione ndaj shërbimit të inteligjencës iraniane dhe disa prej drejtuesve të saj.
Ndërkohë edhe ministri i Jashtëm i Danimarkës, Anders Samuelsen, duke theksuar se Bashkimi Evropian (BE) do të zbatojë sanksione ndaj shërbimeve inteligjente të Iranit, është shprehur se "Është një fitore e rëndësishme për politikën e jashtme të Evropës. BE ka marrë vendimin për të zbatuar sanksione ndaj shërbimit inteligjent të Iranit për shkak se ka planifikuar të kryejë atentat në territorin e Evropës. Ky është një vendim i fortë për të treguar se këto veprime nuk mund të pranohen në BE".
Irani akuzon vendet si Britaninë, Holandën, Danimarkën dhe Francën se mbështesin formësime të tilla si Organizatën Muxhahedinët e Popullit, Ahvazije dhe grupet e tjera opozitare të armatosura.