Esra Taşkın
06 Qershor 2022•Përditësim: 06 Qershor 2022
Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, deklaroi se janë në bisedime me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për të gjetur alternativa ndaj naftës ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).
Le Maire, i cili mori pjesë në transmetimin e përbashkët CNews, Europe 1, Les Echos, tha se po kërkojnë një alternativë ndaj gazit dhe naftës ruse dhe se Emiratet e Bashkuara Arabe mund të jenë të paktën një alternativë e përkohshme ndaj naftës ruse.
"Negociatat me Emiratet e Bashkuara Arabe kanë filluar tashmë, ne duhet të gjejmë një alternativë ndaj naftës ruse", tha Le Maire.
Ministri Le Maire theksoi se po mbrojnë politikën e pavarësisë energjetike kundër presidentit rus, Vladimir Putin.
Nga ana tjetër, Le Maire u shpreh se do të përshpejtojnë investimet në tranzicionin ekologjik dhe se do të sjellin në tryezë një ligj që do t'i hapë rrugën përshpejtimit të hapave në lidhje me energjinë e rinovueshme pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Duke folur për të njëjtën media në një intervistë tjetër, Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton, tha: "(Vendet e BE-së) duhet të heqin qafe gazin rus dhe të rifitojnë pavarësinë e tyre sa më shpejt të jetë e mundur, sepse Putini nuk e pëlqen projektin evropian."
Breton pretendoi se Putini po përpiqej të përçante evropianët duke përdorur gazin.
Paketa e 6-të e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë përfshin një reduktim prej 92 për qind të importeve të naftës nga Rusia deri në fund të këtij viti.