Ekip
22 Maj 2018•Përditësim: 22 Maj 2018
PARIS (AA) – Të punësuarit e sektorit publik në Francë kanë hyrë në grevë për shkak të pakënaqësisë ndaj planit qeveritar që deri në vitin 2022 të shkurtojë 120.000 vende pune, raporton Anadolu Agency (AA).
Me thirrjen e përbashkët nëntë sindikata kërkojnë rritjen e rrogave dhe kontestojnë praktikën gjithnjë më të shpeshtë të kontratave afatshkurtra për kuadro në sektorin publik.
Kjo është greva e tretë e të punësuarve të sektorit publik në Francë që nga ardhja e Emmanuel Macron në postin e presidentit të vendit.
Gjatë fushatës parazgjedhore Macron premtoi uljen e shpenzimit publik dhe rishikimin e Ligjit të punës në Francë.
Grevës së sotme iu bashkuan edhe kontrollorët e aviacionit ajror francez, që shkaktoi anulimin e shumë fluturimeve në këtë vend.
Qeveria franceze negocion me përfaqësuesit e sindikatës duke paralajmëruar se reforma e ligjit të punës do të jetë në rend dite vitin e ardhshëm.