Seyit Aydoğan
24 Prill 2018•Përditësim: 24 Prill 2018
TORONTO (AA) - Dhjetë persona kanë humbur jetën pasi një furgon ka përplasur këmbësorët në qytetin e Torontos në Kanada, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët e vendit njoftuan se 15 persona të tjerë të lënduar janë hospitalizuar, ndërsa pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Sulmuesi i identifikuar u njoftua të jetë 25 vjeçari Alek Minassian, shtetas kanadez me origjinë armene, student i gjuhës angleze në Kolegjin Seneca të Torontos.
Minassian ende është duke u marrë në pyetje.
Shefi i policisë së Torontos, Mark Saunders, tha se nuk janë gjetur fakte që tregojnë se bëhet fjalë për sulm terrorist, por tha se akti është kryer qëllimisht.
Nga ana tjetër, minstri i Sigurisë Publike i Kanadasë, Ralph Goodale, tha se hetimi në lidhje me rastin është duke vazhduar dhe se nuk bëhet fjalë për gjendje e cila do të detyronte rritjen e nivelit të sigurisë.
Ndërkohë, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka shprehur ngushëllime për viktimat që pësuan nga sulmi, ndërsa vlerësoi pozitivisht punën e ekipeve që bënë ndërhyrjen e parë pas sulmit.
"Zemrat tona janë me të gjithë të prekurit. Me siguri, do të kemi ende për të mësuar dhe për të thënë në orët e ardhshme", tha Trudeau.
Ndryshe, sulmi ndodhi ditën e djeshme rreth orës 13:30 sipas kohës lokale, pasi sulmuesi u fut në mesin e këmbësorëve në Toronto me një furgon të marrë me qira.
Nëntë persona humbën jetën në vendin e ngjarjes, kurse 16 të tjerë u hospitalizuan, prej të cilëve njëri iu nënshtrua lëndimeve më vonë.
Alek Minassian u kap nga forcat policore menjëherë pas incidentit.