Nour Mahd Ali Abu Aisha,Ali Semerci,Zeynep Tüfekçi
03 Mars 2018•Përditësim: 04 Mars 2018
GAZA (AA) – Kushtet e vështira ekonomike në Gaza kanë ndikuar edhe ndaj tregut, ku dhjetëra artarë kanë zvogëluar prodhimin në punëtoritë e tyre, shkruan Anadolu Agency (AA).
Pronarët e punëtorive të arit dhe artarët ankohen nga rënia e shitjes së stolive të arit, për shkak të zvogëlimit të fuqisë blerëse dhe mungesës së parave.
Si pasojë e rrethimit 12 vjeçar të Izraelit si dhe përçarjes mes Hamasit dhe Fatahut, popullata e Gazës ku jetojnë më shumë se 2 milionë palestinezë, vazhdon jetën në kushte të vështira.
Qeveria që nga muaji prill i vitit 2017 e deri më tani ka ndërprerë 30 për qind të rrogës për afro 58 mijë punonjës civilë. Kjo është një nga arsyet që ka rritur mungesën e parave në Gaza.
Izraeli po ashtu nuk lejon kalimin e stolive të ndryshme për konsumatorët nga porta kufitare me arsyetimin se “disa stoli ka mundësi për përdorim të dyfishtë”. Izraeli nuk lejon hyrjen në rajon edhe të disa lëndëve të para që përdoren në prodhimin e arit, me të njëjtin arsyetim.
Qeveria e Izraelit, ashtu si në produktet tjera, nuk lejon as hyrjen e mjeteve dhe materialeve të tjera që përdoren në punëtoritë e artarëve. Shumë mjete për shkak të mungesës së pjesëve rezervë me kohë po vjetërohen dhe dëmtohen.
Rënie e prodhimit
Pronari i punëtorisë së arit, Suheyl Serhan (50) thotë se në vitet e kaluara çdo ditë të javës kanë prodhuar por në ditët e sotme kur po ballafaqohen me kushte të vështira ekonomike mund të punojë vetëm një ditë në javë. Ai shton se në krahasim me të kaluarën, prodhimi ka rënë për 75 për qind.
Ai vuri në dukje se në Gaza për momentin po përjetohen ditët më të vështira në 11 vitet e fundit. Serhan thotë se është ndaluar importi i arit të përpunuar në Gaza ndërsa ari i prodhuar shumë rrallë gjen blerësin e tij.
Sipas të dhënave të Sindikatës së Artarëve në Gaza, në Rripin e Gazës ka 39 punëtori të arit.
Kriza financiare
Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Ekonomisë, tregtia e arit në Rripin e Gazës në një masë të madhe bazohet në industrinë lokale. Ndërkohë niveli i eksportit nga Bregu Perëndimor është rreth 20 për qind.
Ish-kryetari i Sindikatës së Arit, Yasir Habbub thotë se 90 për qind e punëtorive të arit nuk punojnë për shkak të kushteve të rënda ekonomike në vend dhe për shkak të mungesës së kërkesës nga qytetarët.
Stolitë e arit kanë mbetur nëpër rafte
Habbub thekson se pronarët e dyqaneve të arit punojnë vetëm nëpër punëtori. “Për shkak të mungesës së kërkesës nga qytetarët dhe mos shitjes së prodhimeve, mjeshtërit e punëtorive punojnë vetëm kur ndonjë blerës bën ndonjë kërkesë speciale. Stolitë e arit, ashtu sikurse pemët, perimet dhe produktet tjera kanë mbetur nëpër rafte”, tha ai.
Më tej Habbub thotë se Izraeli pengon hyrjen e lëndëve të para në Gaza të cilat përdoren për prodhimin e arit. Ai shton se prodhimi i arit në Gaza ka rënë për shkak të pamundësive dhe mungesës së lëndëve të para.