Davit Kachkachishvili
27 Shtator 2023•Përditësim: 28 Shtator 2023
Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, lidhur me Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut të cilat kanë shpallur pavarësinë e njëanshme nga vendi i tij, tha se "çlirimi i rajoneve të pushtuara nga Rusia dhe bashkimi i vendit vazhdon të jetë problemi kryesor" i Gjeorgjisë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim me rastin e 30-vjetorit të përfundimit të Luftës së Abkhazisë, Garibashvili rikujtoi se vazhdojnë problemet e integritetit territorial të Gjeorgjisë.
Para 30 viteve, më 27 shtator të vitit 1993 përfundoi Lufta e Abkhazisë, rikujtoi Garibashvili, duke vënë në dukje se lufta në fjalë është shënuar si një ngjarje dramatike në historinë e re të vendit.
Garibashvili theksoi se Lufta e Abkhazisë ka lënë një shenjë të rëndë në vend.
"Shkaktoi spastrim etnik, zhvendosi nga vendet e tyre qindra mijëra njerëz dhe u shkaktoi jetën shumë qytetarëve tanë. Kjo është shumë për të ardhur keq. Çlirimi i rajoneve të pushtuara nga Rusia dhe bashkimi i vendit tonë vazhdon të jetë problemi kryesor i shtetit dhe shoqërisë sonë", tha ai.
Sipas tij, Gjeorgjia është përkushtuar për zgjidhjen e çështjet së integritetit territorial me rrugë paqësore.
"Qeveria po përparon me vendosmëri në këtë rrugë, sepse ne besojmë me zemër se paqja do të jetë baza për ndërtimin e një vendi të bashkuar, të fuqishëm dhe të zhvilluar me vëllezërit tanë të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut", tha Garibashvili.
Më tej, Garibashvili theksoi se beson që e ardhmja do të sjellë "unitet, paqe dhe mirëqenie për abhkazët dhe gjeorgjianët".
Problemi i Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut
Në vitet 1992-1993 përgjatë 13 muajve u shënua luftë mes ushtrisë së Gjeorgjisë dhe separatistëve abhkazë të mbështetur nga Rusia.
Ndërsa në vitin 2008 mes Rusisë dhe Gjeorgjisë u paraqitën konflikte të cilët njihen si Lufta e Osetisë së Jugut dhe pas luftës rajonet e mbështetura nga Rusia, Abkhazia dhe Osetia e Jugut, shpallën në mënyrë të njëanshme pavarësinë e tyre nga Gjeorgjia.
Rusia njohu pavarësinë e këtyre dy rajoneve në fjalë në vitin 2008, ndërsa Gjeorgjia në përgjigje ndaj kësaj ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Rusinë.
Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Zvicra mori përsipër rol ndërmjetësues mes palëve.