Ayhan Şimşek
25 Mars 2021•Përditësim: 25 Mars 2021
Gjermania shënoi numrin më të lartë të infeksioneve të reja të koronavirusit (COVID-19) që nga mesi i janarit, duke kërcënuar planet e qeverisë për lehtësimin e kufizimeve të bllokimit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Instituti Robert Koch konfirmoi 22.657 raste të tjera të koronavirusit në 24 orët e fundit, nga 15.813 dje. Instituti raportoi gjithashtu 228 vdekje të tjera.
Shifrat e sotme shënuan rritjen më të lartë që nga 14 janari, kur 22.957 persona rezultuan pozitivë ndaj virusit.
Varianti më ngjitës britanik (B.1.1.7) i virusit është bërë lloji mbizotërues në Gjermani këtë muaj dhe aktualisht po përbën më shumë se 72 për qind të rasteve të reja.
Ndërsa vendi lufton me valën e tretë të COVID-19, shtrimet në spital dhe pacientët në repartin e kujdesit intensiv janë ngritur përsëri në javët e fundit, njoftoi Shoqata për mjekësinë e urgjencës DIVI.
Aktualisht, 3.209 pacientë të prekur rëndë me COVID-19 janë duke marrë trajtim në repartin e kujdesit intensiv, me 1.734 prej tyre në ventilatorë mekanik.
Gjermania ka numrin e pestë më të lartë të rasteve me COVID-19 në Evropë, pas Francës, Spanjës, Britanisë së Madhe dhe Italisë.
Numri i përgjithshëm në nivel kombëtar tani qëndron në më shumë se 2.7 milionë raste me të paktën 75.440 viktima.