Ömer Faruk Yıldız
25 Mars 2021•Përditësim: 25 Mars 2021
Kundërshtarët e grushtit të shtetit të cilët ndaluan aktivitetet e tyre të përditshme duke bërë grevë në të gjithë vendin kundër puçit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, dolën në rrugë për të protestuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Turmat e përbëra nga dhjetëra mijëra persona që zbritën në sheshe në rajonet Yangon, Mandalay, Bago dhe Kyaukme reaguan kundër dhunës së armatosur të forcave të sigurisë ndaj protestuesve.
Disa protestues në Yangon, hodhën slogane për formimin e ushtrisë federale me mbështetjen e grupeve etnike kundër ushtrisë së Mianmarit.
Në protestë morën pjesë qytetarë nga grupe të profesioneve të ndryshme, kryesisht punonjës të shëndetësisë dhe punonjës të institucioneve shtetërore.
Pasi ushtarët vranë më 23 mars në zonën Mandalay të Mianmarit një vajzë 7-vjeçare, në shumë rajone të vendit u ndalën aktivitetet nën emërtimin e protestës "greva e heshtur", ku dhe kundërshtarët e grushtit të shtetit nuk dolën nga shtëpitë.
Numri i të vrarëve është rritur në 286
Në anën tjetër në një raport që Organizata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë në Mianmar (AAPP) publikoi sot, njoftohet se edhe 11 persona të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në 24 orët e fundit.
Sipas raportit nga AAPP, numri i humbjeve të jetëve të konfirmuara nga dëshmitarët ka arritur në 286.
Grupet e të drejtave që ndjekin nga afër protestat theksojnë se brenda ditës numri i të vdekurve mund të rritet.
Kujtojmë se Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.