Zehra Nur Düz
17 Gusht 2020•Përditësim: 18 Gusht 2020
Gjermania u kërkoi Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi komandantin puçist Khalifa Haftar, udhëheqësin e forcave të armatosura jolegjitime në lindjen e Libisë, sipas Zyrës së Jashtme Federale të Gjermanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Për momentin në Libi, ne po shohim një qetësi mashtruese. Të dy palët dhe aleatët e tyre ndërkombëtarë po vazhdojnë të armatosin masivisht vendin dhe qëndrojnë fuqishëm pas kushteve të tyre për armëpushim", ka thënë Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në një deklaratë pas mbërritjes së tij në Tripoli.
Maas gjatë vizitës së tij dyditore në Libi tha se do të takohet me Kryeministrin e Libisë, Fayez al-Sarraj, ministrin e Jashtëm, Mohamed Tahir Sayala dhe ministrin e Brendshëm, Fathi Bashagha, me të cilët do të diskutojë "situatën e rrezikshme" në vend dhe "krijimin e një zone të demilitarizuar rreth Sirtes”.
Ministri gjerman theksoi se përfundimi i embargos së naftës dhe sigurimi i shpërndarjes më të drejtë të të ardhurave të naftës janë të rëndësishme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në vend.
“Gjithashtu do të diskutojmë edhe çështjen e migracionit të parregullt”, shtoi Maas.
Duke nënvizuar se do të vizitojë Abu Dhabin pas vizitës së tij në Libi, Maas tha se do të diskutojë temat e Iranit, Sirisë, Katarit dhe Libanit, si dhe konfliktin në Libi me homologët e tij.
Maas tha se synon të urojë homologun e tij të EBA-së, Abdullah bin Zayed al-Nahyan, për marrëveshjen e normalizimit të javës së kaluar me Izraelin.
"Në funksion të zhvillimeve në lidhje me Izraelin, ne gjithashtu shpresojmë të shohim shenja inkurajuese nga Abu Dhabi për çështjen e Libisë", tha Maas.
“EBA kanë një ndikim mbi gjeneralin Haftar dhe Gjermania pret që ata ta përdorin atë në përputhje me procesin e Berlinit. Vetëm ata që marrin pjesë në një proces politik do të jenë pjesë e së ardhmes së Libisë", tha Maas.
Libia është zhytur në konflikt të brendshëm pasi operacionet e NATO-s çuan në rrëzimin e ish- udhëheqësit disa dekadësh Muammar Gaddafi në vitin 2011.
Qeveria e re u themelua katër vjet më vonë në vitin 2015 nën marrëveshjen e udhëhequr nga OKB, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjatë deri më tani kanë dështuar për shkak të sulmeve të komandantit jolegjitim Khalifa Haftar.
Që nga prilli i vitit 2019, forcat e Haftarit kanë nisur sulme për pushtimin e Tripolit dhe pjesëve të tjera të Libisë veriperëndimore, duke rezultuar në më shumë se 1.000 të vdekur, përfshirë civilët. Haftar ka mbështetjen e EBA-së, Egjiptit dhe Rusisë, ndërsa qeveria e njohur nga OKB gëzon mbështetjen e Turqisë dhe Katarit.