Oliver Towfigh Nia
31 Janar 2026•Përditësim: 01 Shkurt 2026
Gjermania ka shprehur skepticizëm lidhur me përkushtimin ndaj paqes të presidentit rus, Vladimir Putin, teksa vazhdojnë negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Derisa presidenti amerikan, Donald Trump, ka sjellë një vrull të ri në përpjekjet diplomatike, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se veprimet e Moskës bien ndesh me çdo pretendim për angazhim serioz.
Duke folur për rrjetin editorial RND, ai tha se “deri më tani, nuk shoh asnjë shenjë që Rusia e dëshiron seriozisht paqen”.
Pistorius iu referua negociatave të fundit mes palëve ndërluftuese, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi fundjavën e kaluar, duke theksuar se Rusia kreu sulme ndaj Ukrainës “siç rrallë janë parë gjatë kësaj lufte”. Sipas tij, sulmet nuk kishin lidhje me objektiva ushtarake.
“Ky është terror i drejtuar ekskluzivisht kundër popullsisë civile, në një dimër me temperatura minus 20 gradë”, tha Pistorius.
Ai shtoi se Putin nuk ka treguar asnjë gatishmëri për kompromis në momentet kyçe.
Duke folur për përpjekjet për të siguruar një pauzë të armiqësive, Pistorius tha se nëse Putin do t’i merrte seriozisht bisedimet e Abu Dhabit, nuk do të kishte nevojë të kërkohej armëpushim, pasi sulmet do të ndaleshin jo vetëm në Kiev, por në të gjithë vendin.
“Kam dyshime serioze se Moska po e merr qoftë edhe minimalisht seriozisht pauzën e sulmeve”, shtoi ai.