Ekip
20 Mars 2018•Përditësim: 20 Mars 2018
KAJRO (AA) - Gjykata në Egjipt urdhëroi mbylljen e të gjitha shërbimeve Uber dhe Careem, si dhe bllokimin e aplikacioneve të tyre mobile dhe softuerin me anë të të cilit këto kompani ofrojnë shërbime më të lira taksie, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjykata Administrative në Kajro vendosi që përdorimi i automjeteve private për ofrimin e shërbimeve taksi është i paligjshëm.
Qeveria dhe kompanitë egjiptiane pritet të paraqesin ankesë për aktvendimin e sotëm të gjykatës administrative, gjë që do të pengojë zbatimin e tij deri në vendimin e gjykatës më të lartë.
Të dy kompanitë përmes aplikacioneve të tyre mobile lidhin udhëtarët me shoferët që veprojnë si sipërmarrës të pavarur.
Uber u krijua në vitin 2010 në San Francisko dhe vepron në më shumë se 600 qytete. Careem filloi të operonte në Dubai në 2012 dhe aktualisht vepron në 90 qytete të Lindjes së Mesme, Afrikën e Veriut, Turqi dhe Pakistan.