Ekip
03 Shtator 2019•Përditësim: 04 Shtator 2019
Një gjykatë në Skoci ka filluar sot dëgjimin e procedurave për një kundërshtim nga një grup deputetësh ndërpartiak të cilët argumentojnë se pezullimi i Parlamentit nga kryeministri britanik, Boris Johnson është i paligjshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kundërshtimi u parashtrua në një seancë të gjykatës në Edinburgh në fillim të gushtit dhe u drejtua nga liderja liberal demokrate, Jo Swinson dhe deputetja e Partisë Nacionaliste Skoceze, Joanna Cherry.
Aidan O’Neill, përfaqësuesi ligjor i deputetëve që inicuan kundërshtimin, sipas BBC, i ka thënë gjykatës se Johnson po abuzonte me pushtetin e tij në detyrë pa ndonjë përgjegjësi ose respekt ndaj Parlamentit.
O'Neill argumentoi se qeveria po tregonte "mospërfillje befasuese" për kushtetutën e Mbretërisë së Bashkuar duke shtuar se sundimi i Johnson-it po bëhej "gjithnjë e më autokratik" si rezultat i këtyre lëvizjeve jodemokratike.
Qeveria, megjithatë, ka kundërshtuar me forcë masën ligjore dhe ka argumentuar se vendimi i saj për pezullimin e Parlamentit është bërë sipas kompetencave që i zotërojnë në bazë ligjore dhe kushtetuese.
Qeveria e Johnson-it ka argumentuar se prolongimi i Parlamentit është një veprim në të cilin vetëm Mbretëresha dhe qeveria mund të vendosin për një gjë të tillë dhe nuk i takon gjykatave të ndërhyjnë nëse një veprim i tillë është i paligjshëm ose antikushtetues.
Deputetët e vjetër, aktivistët dhe një pjesë e madhe e opinionit, megjithatë, pezullimin e Parlamentit e kanë etiketuar si "grusht shteti" dhe e kanë akuzuar kryeministrin Johnson se po përpiqet të heshtë Parlamentin dhe të detyrojë një Brexit pa marrëveshje më 31 tetor.
Të hënën, Johnson paralajmëroi deputetët rebelë Tory si dhe deputetët e tjerë të opozitës që të votojnë kundër legjislacionit që do t'i jepte deputetëve kontroll mbi Parlamentin dhe kështu do të parandalonte një Brexit pa marrëveshje dhe të kërkonte një shtyrje tjetër të datës nga Bashkimi Evropian për Brexit-in.
Johnson kërcënoi deputetët e Tory-t që pritet të votojnë kundër qeverisë se nuk do të lejoj të kandidojnë në zgjedhjet e mundshme të parakohshme dhe se votimi në favor të projektligjit do të nënkuptojë dorëzimin e pushtetit te lideri i opozitës Jeremy Corbyn.
Deputetët rebelë, megjithatë, kanë hedhur poshtë kërcënimet e kryeministrit, duke argumentuar se veprimet e tyre janë në interes të vendit dhe jo për përfitimet e tyre personale. Rreth 20 deputetë të Tory së bashku me opozitën pritet të votojnë kundër qeverisë në një votim Parlamenti i cili pritet të mbahet të martën.
Javën e kaluar në një veprim që ka rritur ndjeshëm tensionet midis ekzekutivit dhe legjislaturës, Johnson, me pëlqimin e Mbretëreshës, pezulloi Parlamentin për pesë javë nga 9 shtatori, duke ua mohuar në mënyrë efektive deputetëve kohën dhe shansin për të ndaluar qeverinë e tij për të larguar Britaninë e Madhe nga BE pa marrëveshje.
BE-ja ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se ata nuk do të negociojnë një Brexit pa marrëveshje dhe se marrëveshja aktuale e largimit, e rënë dakord nga ish-kryeministrja Theresa May, është e vetmja marrëveshje e zbatueshme nëse Johnson nuk gjen një alternative më të mirë.
Më 31 tetor është paraparë që Britania e Madhe të largohet nga BE-ja.