Ahmet Gürhan Kartal
19 Tetor 2017•Përditësim: 19 Tetor 2017
LONDËR (AA) – Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, u ka thënë qytetarëve të BE-së të cilët jetojnë në Britani se ata nuk do të përdoren si një kartë negociimi për të nxjerrë favore gjatë bisedimeve për Brexit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një letër të hapur e cila është publikuar në prag të Samitit të BE-së që fillon sot në Bruksel, May u ka dhënë garanci shtetasve të BE-së në Britani dhe shtetasve britanikë të cilët jetojnë në shtetet e BE-së.
“Kam qenë e qartë gjatë tërë këtij procesi se të drejtat e qytetarëve janë prioriteti im kryesor”, ka thënë mes tjerash May.
Ajo tha se qeveria e saj dhe liderët evropianë kanë objektiva të përbashkëta “për të mbrojtur të drejtat e shtetasve të BE-së që jetojnë në Britani dhe të shtetasve të Britanisë që jetojnë në BE ".
Letra ka për qëllim të zhbllokojë atë të cilën BE e ka përshkruar si “bllokim në negociata”.
Me pretendimin se një marrëveshje lidhur me të drejtat e qytetarëve është "realisht e mundur” May tha se "do të ofrojë garanci se të drejtat e shtetasve të Mbretërisë së Bashkuar që aktualisht jetojnë në BE dhe të qytetarëve të BE-së që aktualisht jetojnë në Britani do të ndryshojnë me kalimin e kohës".
"Qytetarët e BE-së që kanë bërë jetën e tyre në Britani të Madhe kanë dhënë një kontribut të madh në vendin tonë. Ne dëshirojmë që ata të mbeten", shtoi May.
Samiti
May do të takohet të enjten me liderët e 27 vendeve të BE-së, në një përpjekje për t'i bindur ata së është arritur një përparim i mjaftueshëm në bisedimet e Brexitit që do të mundësonte kalimin në fazën e dytë të negociatave, të cilat do të formësojnë marrëdhëniet e ardhshme tregtare ndërmjet palëve.
Megjithatë, udhëheqësit e BE kanë thënë se përparimi deri tani nuk ka qenë i mjaftueshëm, për çka javën e kaluar thanë se bisedimet e Brexit-it kanë shënuar një "bllokim shqetësues".
Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pritet të bëhet në mars të vitit 2019, duke i dhënë fund një partneriteti 44-vjeçar me bllokun.