Aysu Biçer
01 mars 2022•Përditësim: 01 mars 2022
Google Europe njoftoi sot se ka bllokuar kanalet e YouTube "të lidhura me RT (Russia Today) dhe Sputnik në të gjithë Evropën, duke hyrë menjëherë në fuqi", raporton Anadolu Agency (AA).
Vendimi vjen në kuadër të valës së sanksioneve të ashpra kundër Rusisë për luftën kundër Ukrainës.
Në një deklaratë në Twitter, kompania tha: "Do të duhet kohë që sistemet tona të implementohen plotësisht. Ekipet tona vazhdojnë të monitorojnë situatën 24 orë për të ndërmarrë veprime të shpejta".
Lufta Rusi-Ukrainë hyri në ditën e saj të gjashtë të martën, ndërsa sipas raporteve të fundit, trupat ruse po shkonin drejt kryeqytetit Kiev.
Ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë është pritur me zemërim nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa BE-ja, Britania e Madhe dhe SHBA-ja vendosën një sërë sanksionesh ekonomike kundër Rusisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi më parë se BE-ja do të ndalojë mediat shtetërore ruse, duke përfshirë Sputnik, RT dhe filialet e tyre.
Rusia u izolua më tej pasi aeroplanëve të saj iu ndalua përdorimi i hapësirës ajrore evropiane dhe kanadeze, ndërkaq një numër i bankave të saj u përjashtuan nga sistemi bankar ndërkombëtar SWIFT.