Mehmet Hatipoğlu
22 Janar 2019•Përditësim: 23 Janar 2019
KOMOTINI (AA) - Në Greqi, një shtetas britanik dhe një rreshter nga radhët e ushtrisë greke janë arrestuar me akuzat për spiunazh, pasi janë kapur në një zonë ushtarake në kufirin me Turqinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave lokale, mësohet se dy personat janë arrestuar duke shkrepur fotografi në afërsi të një zone ushtarake në rajonin Nea Vissa në Evros.
Bëhet e ditur se për shtetasin britanik 25-vjeçar dhe ushtarin grek 29-vjeçar të forcave ajrore të Greqisë janë nisur procedimet penale në prokurorinë Orestiada me akuzat për "spiunazh dhe shkelje të kufijve shtetërorë".
Në lidhje me ngjarjen theksohet se një hetim është iniciuar nga shërbimi sekret grek.
Ndërkohë bëhet e ditur se në lidhje me ushtarin grek i cili ushtron detyrën në një kamp emigrantësh në rajonin Veria të Greqisë, si dhe shtetasin britanik i cili është anëtar i një organizate civile që operon në të njëjtin rajon, po kryhen hetime edhe në drejtimin se mund të kenë lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore.