Ekip
27 tetor 2020•Përditësim: 28 tetor 2020
Greqia gjatë 24 orëve të fundit ka regjistruar numër rekord të rasteve ditore që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), me autoritetet shëndetësore që njoftuan 1.259 infeksione të reja, duke e çuar në 32.752 numrin e përgjithshëm të tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ndër rastet e reja të konfirmuara me COVID-19, 295 u regjistruan në rajonin e Athinës, 291 në Selanik, ndërsa 62 u regjistruan në pikat e hyrjes së vendit.
Numri i pacientëve të intubuar po ashtu u rrit në 102, numër më i lartë deri më tani.
Autoritetet shëndetësore po ashtu njoftuan 12 viktima të tjera, me çka numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 593.
Dr. Sotiris Tsiodras, ekspert i sëmundjeve infektive, u bëri thirrje njerëzve të shmangin turmat dhe tubimet, si dhe të mbajnë maska në çdo kohë.
Në një intervistë televizive, Tsiodras tha se "zgjedhja e njerëzve është faktori më i rëndësishëm në atë si virusi do të vazhdojë në vend".
Ndërkohë, në llogarinë e saj në twitter, ministrja e Arsimit, Niki Kerameus, njoftoi se ajo rezultoi pozitive për virusin dhe është vendosur në izolim.