Hakan Ceyhan Aydoğan
14 Dhjetor 2016•Përditësim: 14 Dhjetor 2016
MOSKË (AA) - Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se mendojnë që grupet e armatosura do të tërhiqen plotësisht nga pjesa lindore e Halepit brenda 2-3 ditësh, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një program në Moskë, Lavrov tha se "Mendojmë se rezistenca e grupeve të armatosura do të përfundojë brenda 2-3 ditësh. Ata që kundërshtojnë këtë kanë bërë zgjedhjen e tyre. Janë formuar korridore që ata të largohen vetë nga qyteti dhe iu është dhënë garanci për sigurinë."
Më tej Lavrov është shprehur "Më pas do nevojitet që të ketë angazhime për vendin ku do të vendosen të larguarit (nga Halepi), por tani më e rëndësishmja është që ti jepet fund tragjedisë në Halep."
Pasi ka theksuar se janë krijuar korridore për evakuimin e civilëve nga Halepi, Lavrov ka mbrojtur idenë se deri tani dhjetëra mijëra civilë janë larguar.
Rusia është në kontakt me të gjitha grupet përveç DEASH-it dhe Al Nusra-s, ka shtuar ndër të tjera shefi i diplomacisë ruse.
Ndërsa në anën tjetër në një deklaratë të bërë nga Ministria Ruse e Mbrojtjes pretendohet se liderët e grupeve të armatosur në lindje të Halepit kanë rinisur sërish konfliktet në orët e para të mëngjesit duke prishur marrëveshjen me forcat e regjimit.