Ruslan Rehimov
28 Prill 2022•Përditësim: 29 Prill 2022
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres vizitoi qytetet ukrainase Borodyanka, Bucha dhe Irpin, raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi vizitoi pjesët e shkatërruara nga lufta në Borodyanka, ai tha: "E imagjinoj familjen time në një nga këto shtëpi të shkatërruara. I shoh nipërit e mi se si vrapojnë në panik. Një nga anëtarët e familjes humbi jetën. Lufta në shekullin 21 është e pakuptimtë, lufta është brutale. Lufta në shekullin 21 është e papranueshme".
Gjatë vizitës në Bucha, ai tha se ishte i kënaqur që prokurorët nga Gjykata Ndërkombëtare Penale ishin në qytet.
Guterres i bëri thirrje Rusisë që të bashkëpunojë me Gjykatën. “Të mos harrojmë se krimi më i keq është vetë lufta”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së.
Gjatë një vizite në Irpin, ai nënvizoi se “civilët paguajnë gjithmonë çmimin më të lartë”.
"Në këto ndërtesa jetonin civilë të pafajshëm. Ata paguanin çmimin më të lartë për një luftë për të cilën nuk kontribuan kurrë. Kudo që ka luftë, civilët paguajnë çmimin më të lartë", shtoi Guterres.