Ekip
10 Shtator 2020•Përditësim: 10 Shtator 2020
Një ekspert maroken ka theksuar se komandanti i forcave jolegjitime me bazë në Libinë lindore, Khalifa Haftar, është pengesa kryesore në arritjen e një zgjidhjeje libiane pasi ai ende mbetet te "zgjidhjet ushtarake", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Pengesa më e madhe për arritjen e një marrëveshjeje politike në dialogun libian në Marok është gjenerali Khalifa Haftar dhe mbështetësit e tij, të cilët këmbëngulin në zgjidhjen ushtarake", tha Salman Bunaman, një ekspert i shkencave politike në Universitetin 'Sidi Mohamed Ben Abdellah' në qytetin Fez në Marok.
Të dielën, bisedimet jozyrtare të konsultimit për Libinë filluan në qytetin Bouznika në Marok midis delegacioneve që përfaqësojnë Këshillin e Lartë të Shtetit të Libisë dhe parlamentin me bazë në Tobruk.
"Ka tentativë për të penguar përpjekjet marokene për të arritur një zgjidhje të dakorduar midis rivalëve libiane", tha Bunaman, duke shtuar se ka vende që kërkojnë të mos arrijnë një marrëveshje përderisa kërkojnë zgjatjen e krizës libiane në përfitim të Haftar-it.
Sipas ekspertit, Maroku gëzon respektin e palëve libiane, si dhe është pranuar ndërkombëtarisht si një ndërmjetësues neutral në krizën libiane.
Të martën, të dy palët, respektivisht Këshilli i Lartë i Shtetit të Libisë dhe parlamenti me bazë në Tobruk, njoftuan arritjen e mirëkuptimeve në dialogun e vazhdueshëm në Marok mbi çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit dhe përfundimin e ndarjes në institucionet publike libiane.
Pavarësisht këtyre përparimeve, të shtunën ushtria libiane tha se milicia e Haftar-it për herë të katër shkeli armëpushimin në Sirte, duke bombarduar qytetin me raketa.
Pas fitimeve territoriale të ushtria libiane kundër Haftar-it, po bëhen përpjekje diplomatike për të rifilluar një proces politik në vend.