Enes Canlı,Ahmet Dursun
14 janar 2020•Përditësim: 15 janar 2020
ENES CANLI/ AHMET DURSUN
Marrëveshja e përgatitur me iniciativën e Turqisë dhe Rusisë për t‘i dhënë fund krizës në Libi, e cila nuk u nënshkrua nga lideri i forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, parashikonte përfundimin e konflikteve, shpërndarjen e ndihmave humanitare në mënyrë të sigurtë për personat në nevojë dhe zgjidhjen e problemeve përmes dialogut vetëm mes libianëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA), e cila ka legjitimitet në praninë e Kombeve të Bashkuara (OKB), pranoi dhe nënshkroi marrëveshjen, ndërsa pala e Haaftarit kërkoi një ditë afat për të menduar dhe konsultuar nenet në tekst. Por, Ministria Punëve të Jashtme e Rusisë njoftoi se Haftari mëngjesin e sotëm u largua nga vendi pa nënshkruar marrëveshjen.
Derisa nuk është dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me mbërritjen e Haftarit në Libi, pretendohet se ai ka shkuar në Egjipt ose në Emiratet e Bashkuara Arabe të cilat ofrojnë mbështetje ushtarake, politike dhe financiare ndaj tij.

Propozimi i armëpushimit, të paraqitur nga Turqia dhe Rusia për t‘i dhënë fund konflikteve mes palëve në Libi dhe dërgimin e ndihmave humanitare popullatës, në të njëjtën kohë përfshinte edhe zgjidhjen e problemeve në vend përmes dialogut vetëm mes libianëve.
Në tekstin e përgatitur për armëpushim theksohet respektimi "i palëkundur i sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë, unitetit të Libisë dhe Konventës së OKB-së".
"Palët siguruan njëra-tjetrën se nuk do të ketë zgjidhje ushtarake për konfliktet në Libi, se kriza do të zgjidhet vetëm përmes dialogut mes libianëve, me qëllim që të rregullohet situata humanitare dhe t‘i japin fund urgjentisht vuajtjeve të popullit libian", thuhej në tekstin e përgatitur.
Teksti i cili ka të bëjë me shpërndarjen e sigurtë të ndihmave humanitare për personat në nevojë, dërgimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e ndihmës parashikon gjithashtu "përcaktimin e një vije të betejës që siguron armëpushimin e vazhdueshëm dhe stabilizimin e situatës në terren në mbështetje të kësaj".
Ndër të tjera në tekst bëhej referimi në mënyrën që "të merren masat e nevojshme për të normalizuar jetën e përditshme në Tripoli dhe qytetet e tjera, për t‘i dhënë fund të gjitha sulmeve si dhe për vazhdimin e uljes në mënyrë të përshtatshme të tensioneve ushtarake përgjatë vijës në fjalë".
Në tekst ishte vendosur dakordimi që "siç është përcaktuar në planin e veprimit të Misionit mbështetës të Kombeve të Bashkuara për Libinë (UNSMIL), të kryhej emërimi i anëtarëve të Komisionit ushtarak me nga 5 persona nga të dy palët, ku në këtë mënyrë të përcaktohet vija kryesore e betejës mes palëve, si dhe ndjekjen dhe sigurimin e vazhdimësisë për zbatimin e armëpushimit".