Në një raport të nxjerrë për Facebook, kompania e analizës thotë se hakerët iranianë u përpoqën të ndërhyjnë në referendumin skocez të pavarësisë në vitin 2014, duka ia mbajtur anën atyre që dëshironin shkëputjen, në përpjekje për të rrënuar Mbretërinë Bashkuar, shkruan Anadolu Agency (AA).
Raporti, i realizuar nga kompania e analizës Graphika, e publikuar më 5 maj, thekson se "pronat e fshehta" të lidhura me transmetuesin shtetëror të Iranit kishin faqe të rreme në Facebook që krijonin meme, filma të animuar dhe propagandë për të forcuar lëvizjen pro-pavarësisë.
David Grout, zyrtari kryesor i teknologjisë EMEA në FireEye, një firmë e sigurisë kibernetike për AA tha se: "Ne kemi monitoruar të dyja grupet ruse dhe iraniane të kërcënimit në internet për shumë vite. Disa nga këto vijnë në formën e atyre që ne i quajmë "APT" (Kërcënim i Avancuar i Përhershëm) për të cilat besojmë se janë mbështetur nga shtetet kombëtare.
“Me grupet APT, ne i shohim ata që kryejnë lloje të ndryshme të aktiviteteve. Kjo përfshin spiunazhin në internet i cili zakonisht merr formën e vjedhjes së informacioneve të vlefshme, operacioneve informative që promovojnë axhendat e caktuara shpesh përmes mediave sociale dhe sulme shkatërruese që rrënojnë uebfaqe ose infrastrukturë tjetër të teknologjisë informative. Këto kërcënime kanë në objektiv si organizatat private ashtu edhe ato publike", tha ai.
Grout tha se "Grupet e sponsorizuara nga shteti përdorin aftësitë e tyre për të parashikuar tendencat politike dhe vendimet që do t'u japin avantazhe qeverive të tyre kur bëhet fjalë për bisedimet tregtare ose politike".
- Goditet Skocia
Një nga faqet e drejtuara nga Irani në vitin 2014 ishte "The Scotsman Cartoon". Raporti i Graphika thekson se: "Faqja ka ofruar një seri filmash të animuar në një gamë të gjerë stilesh vizuale, por me një temë të përbashkët: Skocia ka nevojë për pavarësi".
"Shumë prej karikaturave sulmuan kryeministrin e atëhershëm David Cameron, duke e portretizuar atë si mishërim të shtypjes angleze", shton raporti, duke vazhduar: “Asnjë nga këto postime nuk arriti ndikim viral, me një numër konstant të pëlqimeve, shpërndarjeve ose komenteve. Postimet tipike shënuan disa dhjetra reagimesh, ndonjëherë pak më shumë se 100. Kjo nuk është e papërfillshme por është shumë larg për të qenë një përpjekje në atë shkallë që mund të ketë ndikuar në referendum.
"Në mars 2014 gjashtë muaj para referendumit skocez, faqja e filmave të animuar pushoi së postuari për arsye të panjohura".
Facebook hoqi 500 faqe, grupe dhe llogari të lidhura me Korporatën e Transmetimit të Republikës Islamike të Iranit.
"Individët që qëndronin pas këtij rrjeti mbështeteshin në një kombinim të llogarive autentike dhe false", tha Facebook në një deklaratë. "Megjithëse njerëzit që qëndronin pas këtij aktiviteti u përpoqën të fshehin identitetin dhe koordinimin tyre ndërsa hetimi ynë gjeti lidhje me Korporatën e Transmetimit të Republikës Islamike të Iranit".
- Mënyra iraniane
Në fillim të këtij muaji, Izraeli akuzoi Iranin se kishte shënjestruar infrastrukturën e saj civile të ujit me sulme kibernetike në fund të prillit. Teherani mohoi përgjegjësinë ndërsa Tel Avivi akuzoi atë për kryerjen e sulmeve kibernetike me "baza ditore".
SHBA gjithashtu është shënjestruar nga sulmet kibernetike iraniane. Pas vdekjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleimani në një sulm ajror amerikan në fillim të vitit, CNN raportoi se përpjekjet e hakerimit iranian kundër faqeve federale, shtetërore dhe qeverive lokale të internetit u rritën me të paktën 50 për qind.
Uebfaqja e Departamentit të Bujqësisë në Teksas ishte hakuar ndërsa ishte ngarkuar një imazh i Soleimanit së bashku me mesazhin "E hakuar nga hakerët iranianë".
James Lewis, një nënkryetar në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha për CNN se: "Imazhet e dobëta dhe me buxhet të ulët janë një shenjë dalluese e propagandës iraniane".
"Ndoshta 'hakerët patriotikë' shkojnë pas faqeve të vetme qeveritare të cenueshme që mund të gjejnë. Padyshim jo skuadrat A”, shtoi ai.
- Rusia
Raporti i porositur nga Facebook gjithashtu theksoi se megjithëse ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA ishte tema kryesore ndërkombëtare, Irani kishte filluar operacionet e ndërhyrjes elektorale të paktën 4 vjet më parë.
"Një veçori veçanërisht interesante e rrjetit ishte mënyra se si shënjestroi SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar me llogari të rreme, meme dhe filma të animuar qysh në vitet 2012-2014", thuhet në raportin e Graphika-s.
"Ata shënjestruan në mënyrë të veçantë zgjedhjet e kandidatëve republikanë në fillim të vitit 2012 kur u mbështet Ron Paul dhe u sulmua Mitt Romney dhe referendumin e pavarësisë skoceze të 2014 kur mbështeti pavarësinë.
"Këto përpjekje nuk duket se kanë dhënë ndikim viral ose ndonjë formë tjetër të matshme të suksesit kurse rrjeti i largoi këto relativisht shpejt.
"Megjithatë, zbulimi i Facebook është me interes historik: ai siguron një pikë të konfirmuar të dhënash mbi ndërhyrjen e huaj në përpjekje në funksionimin demokratik perëndimor që nga viti 2012, një cikël i plotë zgjedhor përpara ndërhyrjes ruse të vitit 2016".
- E ardhmja
Grout tha për AA se ka disa hapa që vendet mund të ndërmarrin për të mbrojtur veten e tyre nga sulmet kibernetike, që ndryshojnë në varësi të vendit.
"Një nga qasjet, veçanërisht kur mendojmë përpara për ngjarje si zgjedhjet e këtij viti në SHBA, është të edukojmë qytetarët për fushatat me ndikim dhe lajmet e rreme. Disa vende perëndimore tashmë kanë filluar programet kundër lajmeve të rreme dhe sollën ligje të reja në këtë fushë", tha ai.
"Një aspekt tjetër kritik është që kombet të rrisin sigurinë e infrastrukturës së tyre. Kjo shpesh fillon në fusha si rrjetet energjetike dhe sektori i mbrojtjes, por mund të kalohet në vertikale si telekomi dhe financat. Një element kryesor që duhet të merret në konsideratë është përdorimi i atribuimit për të identifikuar publikisht sulmuesit fajtorë dhe për t'i nxjerrë ata përpara gjykatës. Kjo do të tregojë se drejtësia po përmbushet dhe duhet t'i ndalojë aktorët e tjerë kërcënues të kryejnë veprimtari të ngjashme".
news_share_descriptionsubscription_contact


