Ekip
11 Dhjetor 2019•Përditësim: 11 Dhjetor 2019
Grupi palestinez Hamas ka mohuar mbështetjen për Partinë Laburiste dhe udhëheqësin e saj, Jeremy Corbyn, në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj jave në Britani të Madhe, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të asnjë vendi tjetër dhe nuk jemi pjesë e ndonjë konflikti të brendshëm", tha sot një nga figurat kryesore të Hamasit, Basem Naim.
"Ne i kërkojmë kryeministrit të ardhshëm (britanik) të mbështesë të drejtat e popullit palestinez të kryesuar nga e drejta e kthimit dhe pavarësia", tha ai.
Mediat izraelite thanë se një faqe në mbështetje për Corbyn në Facebook drejtohet gjoja nga Hamasi.
"Ne themi se Hamasi nuk ka përfaqësues në Britani dhe akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në Britani apo mbështetja e Corbyn janë të pavërteta", tha Naim.
Javën e kaluar, ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz zëshëm shprehu shpresë se Corbyn do të humbasë zgjedhjet e 12 dhjetorit.
"Unë personalisht shpresoj se ai nuk do të zgjidhet", tha Katz për Radion e Ushtrisë Izraelite.
Zyrtarët izraelitë akuzojnë Corbyn për antisemitizëm, një akuzë e mohuar me forcë nga lideri laburist.